Sporti në Shqipëri po kalon një krizë momentalisht, lidhur me buxhetin e varfër për organizimin e aktiviteteve sportive dhe njëherësh mungesën e politikave orientuese për të pasur sport masiv dhe cilësor. Natyrisht, infrastruktura mbetet një gangrenë e përhershme e sportit shqiptar, sidomos jashtë Tiranës, ku ka shumë pak kushte për ushtrimin e sportit. Në disiplinat e sporteve të forcës, ku bën pjesë edhe peshëngritja, ka një pakësim të numrit të sportistëve dhe njëherësh rënie të rezultateve. Disa arritje nuk mund të mohohen, që kanë të bëjnë me përpjekjet për të luftuar dopingun, por edhe për të financuar sportistë të rinj me të ardhme. Problemi i sportit është se mungon strategjia kombëtare e zhvillimit të tij, por njëherësh dhe kuadri i aftë teknik dhe puna e dobët në shkolla. Elementët cilësorë gjenden me vështirësi, pasi familjet shqiptare sot nuk kanë fuqi financiare të investojnë për fëmijët në sport, prandaj del detyrë e shtetit të gjejë mekanizma si të joshë të rinjtë të vijnë në palestra dhe të ndjekin një karrierë sportive. Kështu mendon dhe një prej ikonave të trajningut në peshëngritjen shqiptare, tekniku me gjysmëshekulli eksperiencë, Hektor Shaqiri, i cili në intervistën e dhënë për “SOT”, u fokusua sidomos tek mangësitë teknike në përgatitjen e sportistëve të rinj dhe mungesën e motivimit financiar, që është aq e domosdoshme në kushtet aktuale.
Pjesëmarrja e dy të rinjve tanë në Europianin e të rinjve dhe U-23 në Poloni nuk rezultoi aq e suksesshme. Pra rezultatet janë larg atyre që jemi mësuar të shikojmë nga shtanga. Çfarë ka ndodhur që humbi entuziazmi i shkuar?
Kur flasim për rezultatet, gjendjen e sportit në përgjithësi dhe peshëngritjes në veçanti, por edhe kushtet stërvitore, financiare etj, pra një sërë elementësh nga varet ushtrimi i aktivitetit sportiv, në mendje të vjen një pyetje themelore: Ku po shkon peshëngritja shqiptare? Dhe këtu përfshihet gama e faktorëve që përmendëm, por kryesorja është mungesa e punës me të vegjlit. Po nuk punove me fëmijët do të ngelesh në vend numëro, do të ngelemi me një grusht sportistësh që na përfaqësojnë vazhdimisht dhe “laj-thaj” ata kemi. Që të kesh vazhdimësi duhet të kërkosh llogari, duhet të ngresh kërkesa, dhe që të kërkosh llogari duhet të plotësosh kushtet për ushtrim sporti. Duke krahasuar rezultatet e këtyre sportistëve elitarë që kemi tani në garat e shumë viteve më parë, pra kur ishin fare të rinj, me rezultatet e të rinjve që kemi aktualisht, diferencat janë aq të thella sa shpesh të krijohet bindja që nuk ka “dritë në fund të tunelit”. Me të drejtë shtrojmë pyetjen: Çfarë po bëhet për të zëvendësuar Qerimajn, Godellin e të tjerë? Dhe vëmendja shkon te federata dhe institucionet që kanë në dorë hartimin e politikave sportive, gjithmonë në bashkëpunim me klubet.
Ç’faj ka federata në këtë mes? Ju e dini që federatat kanë buxhet të limituar, madje kjo është temë debati e gjerë. Pse duhen shigjetuar federatat?
Nuk po shigjetoj, por kërkoj përgjegjësi tek institucionet përgjegjëse dhe këtu është fjala për zhvillimin e sportit në tërësi, s’ka lidhje me emra konkretë. Nuk është vetëm federata, por edhe klubet. Federata duhet t’u kërkojë llogari klubeve, duhet t’u vërë kushte që të kthejnë sytë nga të rinjtë. Natyrisht, federata inkurajon sportistët nëpërmjet një stimuli financiar, kryesisht sportistët elitarë, por nga ky fond mund të tërhiqej mënjanë një pakicë parash për të rinjtë e spikatur, që t’u jepet një mundësi, të paktën 10 apo 20 mijë lekë të reja në muaj për disa të rinj që kanë premisa të mira. Është një shumë e papërfillshme, por i jep një shtysë fëmijës të ndjekë rregullisht stërvitjen. Në sporte si peshëngritja kjo është e domosdoshme, sepse vijnë fëmijët e fukarenjve nga periferia e me shpenzime. Paguajnë urban, paguajnë ujin etj. Pra, ca shpenzime të vogla duhen hequr, se vijnë si barrierë për fëmijët dhe i largojnë ata nga sporti. Duhet të kuptojmë gjendjen ku jemi dhe llogaritë bëhen thjeshtë fare. Mos harrojmë vështirësinë me të cilën përballen këta fëmijë, duke nisur nga stresi i përditshëm i udhëtimit, “bërrylat” me të cilën përballen në klub dhe më gjerë dhe u mohohen shanset. Nëse dëshiron të kesh sport cilësor duhet të investosh, ndryshe kot pretendon. E përmend federatën pasi e di që ajo mund të luajë rol pozitiv në këtë drejtim, brenda kapaciteteve të saj. Ka një fond grant që mund ta menaxhojë më mirë, por që ta menaxhojë më mirë duhen pyetur specialistët, duhet marrë mendimi i ekspertëve.
A besoni ju se mund të zgjidhet ky ngërç nëpërmjet stimujve në shifra të tilla?
Nuk themi se do të bëhen mrekullira, por tregon se po punon dhe inkurajon të vegjlit në këtë rrugë të vështirë. Unë ju kujtoj këtu, se edhe sistemi i shkuar i ka vlerësuar talentet. Luan Shabani fëmijë merrte 500 lekë në ditë në atë kohë, një shumë që mbante familjen me të. Pse ia jepte shteti i kohës këto para? Sepse që fëmijë ai kishte pritshmëri të mëdha. Për kohën ishte një vlerësim i madh. Pra ne nuk po i afrohemi as shtetit të kohës së monizmit. Ka pasur plot sportistë që kanë marrë 250 lekë në ditë dieta ushqimore dhe ndihmë, sepse edhe sistemi i shkuar e kishte të qartë se motivimi dhe përkujdesja sjellin rezultate. Kur prindi shikonte se fëmija vlerësohej, ai i përkushtohej fëmijës maksimalisht në këtë rrugë, e inkurajonte, e ndihmonte dhe i krijonte lehtësira. Kurse sot nuk japin asgjë. Epo, si mund të bëhet sporti me asgjë? Me të drejtë në Shqipëri sot ka plot të rinj që pyesin: Për çfarë të ushtroj sport? Këtu mund të dalësh kampion e nuk fiton asgjë, atëherë pse lodhemi kot? Për të mos folur më pas për disa zhvillime të tjera që të bëjnë të vësh duart në kokë, pasi kemi arritur në një pikë që nuk kemi bluzën identifikuese të klubit, pra as fanella nuk kemi, që është gjëja elementare në sport.
Një tjetër element që ka peshë të rëndësishme në këto zhvillime është trajneri, figura e trajnerit në përgjithësi. Si paraqitet në peshëngritje kuadri teknik?
Puna me trajnerët në fakt duhet të jetë kryesorja. Ka shumë paaftësi, madje paaftësi deri në dhimbje. Teknika një është, ose e mëson ose jo. Shembujt i kemi pasur të mirë dhe unë dua të veçoj dy sportistë të nivelit të lartë që kanë pasur teknikë të jashtëzakonshme. Nga djemtë Ilir Sulin, kurse nga vajzat Romela Begajn. Po të shihet teknika e tyre shërben si shkollë për të tjerët, sepse kanë teknikë të avancuar, do të thosha të përsosur. Sot në sportin tonë ka trajnerë që nuk e njohin fare teknikën. Nisur edhe nga fjalët e një mikut tim trajner, sot mund të themi hapur se ka teknikë që janë për burg, për shkak se po shkaktojnë dëmtim me pasoja në shëndetin e sportistëve. Unë nuk dua të ndalem në emra sportistësh, por kemi plot të cilët kanë probleme me kolonën, pra shtyllën kurrizore, sepse është punuar keq me ta. U janë dhënë në moshë fare të njomë pesha të rënda të papranueshme me kriteret shkencore dhe teknikën e shtangës. Njohja e teknikës ka rëndësi themelore në këtë sport. Mund të jesh shumë i fortë, mund edhe të përgatitesh tej mase shumë, por nëse nuk zotëron teknikën nuk ia del të jesh sportist cilësor. Sot ka teknikë të çmendur, që po u shtrembërojnë kolonën vertebrore sportistëve, për shkak se nuk njohin pikërisht teknikën dhe artin e sportit të peshëngritjes.
Veç kuadrit teknik mangësi e përhershme mbetet infrastruktura. Në Tiranë gjendja është më mirë, por kur flasim për rrethet gjendja merr trajta mjerimi. Kur do të shpëtojë sporti nga ky makth?
Infrastruktura është shqetësim serioz, sigurisht, edhe në kryeqytet ka plot klube që funksionojnë si emra, por nuk kanë shtangë, pra janë klube pa asnjë sportist, që duhen vetëm për vota në rast zgjedhjesh si Dinamo e Studenti. Nuk kemi kushte, realisht jo. Është një palestër tek Parku Olimpik, por ajo është për ekipet kombëtare, jo për stërvitjen e përditshme të të rinjve të klubeve. Gjithçka nis nga klubi, por klubet tona kanë vetëm emrat. Ne patëm një sportist tonin këtu, i cili nuk gjeti rrugëzgjidhje dhe iku në Gjermani. Sapo e kuptuan që është sportist i mirë, e regjistruan, i krijuan kushte, i paguajnë qeranë, i japin shpërblime e rrogë dhe me fitimet që merr nga stërvitja në klub atje mban familjen në Shqipëri. Kurse ne i përzëmë sepse nuk krijojmë dot kushte për ta.
Si i shihni rezultatet e shtangës në tërësi?
Rezultatet e tanishme janë larg atyre që janë regjistruar më parë. Unë po përmend për krahasim rezultatet e Ilir Sulit këtu e 15 apo 20 vjet më parë. Ka garuar në tri pesha dhe në të tria peshat ka regjistruar rezultate më të larta sesa ka aktualisht. Rezultatet e tij janë 20-30 kg në dygarësh mbi rezultatin më të mirë të së njëjtës peshë që ka sot. Kush sportist ngre sot në shkëputje 175 kg sa Ilir Suli? Asnjë, të tjerët janë tek 160 kg, 15 kg më pak vetëm në një stil. Unë kujtoj me entuziazëm sot që kur merrnim pjesë në Olimpiadën e Sidneit, kameramanët, gazetarët dhe njerëz të ndryshëm vinin e ndiqnin stërvitjen tonë, sepse teknika ishte shumë e lartë. Edhe ata e kishin kuptuar se ne ishim pretendentë për medalje. Gjynah që Ilir Suli nuk mori medalje në Lojërat Olimpike të vitit 2000, ishim shumë lart realisht, por një ngërç…, ndoshta dhe fati nuk deshi.
Çfarë ideje mund të japësh për të përmirësuar gjendjen?
Kam shumë, por po përmend një kryesore. Sot në federatë mungon këshilli i trajnerëve. Ka qenë më parë por e kanë hequr. Ky këshill është natyrshëm në opozitë me drejtuesit e federatës, sepse, duke qenë me ekspertë dhe njerëz që punojnë në terren me sportistët, kërkojnë kushte dhe drejtuesve nuk u pëlqen t’u kujtosh detyrimet. Por ngritja e këtij këshilli është e domosdoshme. Këshilli jep udhëzime, ndjek stërvitjet me një plan masash dhe u jep fund çmendurive stërvitore me tërheqje peshash nga këmbët që çojnë deri në sakatimin e sportistëve. Metoda mjaft të rrezikshme që duhet të hiqen urgjentisht nga programi stërvitor.
Shpesh teknikët me përvojë pyeten për të ardhmen. Si e shihni ju të ardhmen e shtangës shqiptare?
Unë kam 45 vjet që punoj si trajner, kam përvojë të madhe në këtë fushë dhe e njoh mirë. Por unë të ardhmen e shoh të zymtë. Ka plot gjëra që më bëjnë pesimistë, sidomos kur shoh kuadrin teknik. Imagjinoni, Ilir Suli, njeriu me teknikën më të mirë të shtangës nuk është trajner. Pse të mos i jepet mundësia, të marrë një ekip fëmijësh e t’i stërvisë dhe unë ju siguroj se do të shkëlqejë. Jam pesimist për të ardhmen sepse shoh që sportistët nuk i sigurojnë, as nga ana mjekësore nuk i sigurojnë. Shkojnë në aktivitete dhe nuk i sigurojnë për 7 euro apo 10 euro. Kushte normale nuk ka, motivim jo, kuadër teknik të aftë jo, atëherë si do të ketë të ardhme? Po faturat? Ah…, po, ato plotësohen, sigurisht, faturat rrinë plot, megjithëse nuk përputhen me realitetin. Kjo do të thotë se në sport ka pasur mjaft abuzime, prandaj kërkohen kontrolle të imtësishme.
Intervistoi: Adriatik BALLA