“At Sergi” nga Leon Tolstoy, premierë në Teatrin Eksperimental

    0
    617

    “At Sergi” nga Leon Tolstoy premierë mbrëmjen e sotme në skenën e  Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vepra në sallën “Moliere” do të vijojë dhe net të tjera për publikun në teatër. Producente Kozeta Kurti dhe regjisor Fatos Berisha, dramën “At Sergi” e përshtati për skenë Shpëtim Selmani, dhe vijon për publikun dhe në datat 26-27 dhe 28 Tetor ora 19:00. Në vepër interpretojnë aktorët Igli Zarka, Rovena Lule, Lulzim Zeqja, Egla Ceno, Besmir Bitraku, Julinda Emiri, Valmir Krasniqi dhe Arta Lahu. Instrumentist në shfaqje është Denis Hima. Regjisori Fatos Berisha është një emër i njohur për skenën teatrore. Me aktivitetin e tij si regjisor ai dhe më parë ka qenë në skenat e teatrit në Tiranë. Këtë herë sjell “At Sergi” që shënon dhe premierën në skenën shqiptare. “Refuzimi ndaj joshjes e tundimit, magjia dhe magjepsja ndaj botës së lirë, vetëm të ekspozon akoma edhe më shumë ndaj dy të parave. Sa më shumë përpiqesh t’i largohesh, aq më tepër lëshojnë rrënjë të dy ato, edhe joshja. Njeriu, qënia humane e brishtë, që gabon, që fal, që merr hak, që pendohet” shkruan për veprën producentja Kurti. “At Sergi” është një novelë e realizuar në vitin 1890 dhe e publikuar në 1898. Në 1917, regjisori rus Jakov Protazanov realizoi një film pa zë mbi këtë novelë. Novela flet për princin Stefan Kasatzki. Ai ishte një ushtarak me karrierë të suksesshme, që zbulon tradhtinë e të fejuarës së vet pak para se të martohet. I shqetësuar dhe në mëdyshje, ai tërhiqet në ushtrinë e ortodoksisë ruse duke u bërë një murg. Shumë vite poshtërimi dhe dyshimi pasuan dhe ai tashmë qe një heremit që bën mrekulli para fshatarëve. Çaste provokimesh vënë në provë besimin e tij dhe situata të pafat të provokimit femëror e çojnë në dështim. Pjesë e stafit të realizimit të shfaqjes në skenë janë dhe të tjerë emra. Skena Sidia Çepani, design Ermal Koçi, kostumet Sofi Kara, muzika Alban Laro, grimi Marinela Halilaj, fotografia Armand Sallabanda dhe as/regjisor Kriks Dumo. Pas katër netëve që do të jetë në skenën e Teatrit Eksperimental vepra me regji nga Fatos Berisha do të rikthehet sërish për publikun në datat 15, 16, 17, 18, 22, 23, 24 dhe 25 nëntor te “arTurbina”.

    Novela “At Sergi”

    Novela “At Sergi” e Tosltoit fillon me ambicien dhe inteligjencën e princit bukurosh Stefan Kazatski. Ai u përpoq të shkëlqente në gjithçka; nisi karrierën ushtarake dhe u përpoq të hynte në shtresat e shoqërisë pranë Carit. “Në pamundësi për të depërtuar sa më pranë tij të qe e mundur, vendosi ta kryejë këtë afrim nëpërmjet martesës. Ra në dashuri me një konteshë të bukur. Princi idealizonte feminilitetin dhe i konsideronte gratë e pamartuara, si poseduesete nivelit më të lartë të pastërtisë, ndërgjegjes e ndershmërisë njerëzore. Grave ju pëlqente një vlerësim i tillë, sepse në sytë e tij, dukeshin  perëndesha. Meshkujt nga ana tjetër, kishin leje me pashë për të kënaqur nevojat e tyre seksuale. Duke qenë se burrat ishin të plotfuqishëm në çështje që lidheshin me seksin, virgjëria ose mungesa e saj ishin bekimi apo mallkimi më i madh i tyre, ndryshe nga sot, kur është përgjegjësi e çdo gjinie apo transgjinori të vendosë me të drejta të plota mbi trupin e tij. Përpara dasmës, kontesha i rrëfeu se nuk ishte e virgjër. Kjo e shqetësoi aq shumë princin, sa ai hoqi dorë nga bota për të cilin ishte investuar aq shumë dhe hyri në një manastir për të jetuar një jetë të pastër dhe me përkushtim ndaj Zotit”, thuhet në materialin e veprës. Sigurisht, si At Sergi, ai u përpoq të kishte devotshmëri ndaj vendimit të tij, por gjithsesi historia është e hapur të ketë edhe interpretime të tjera, nëse At Sergi, u kuptua në pjesën shpirtërore dhe të brendshme të tij apo jo. Natyrisht, akti i thjeshtë për t’u bërë murg, nuk çon në shenjtërinë e menjëhershme. Refuzimi ndaj joshjes e tundimit, magjia dhe magjepsja ndaj botës së lirë, vetëm të ekspozon akoma edhe më shumë ndaj dy të parave. Pra sa më shumë përpiqesh t’i largohesh, aq më tepër lëshojnë rrënjë të dy ato, edhe joshja, edhe tundimi. Në materialin shpjegues të veprës mes të tjerave pohohet se grupi i punës së kësaj shfaqjeje, udhëhequr nga regjisori Fatos Berisha, janë përpjekur t’i qëndrojnë larg rrethanave që ndodhin në apo për shkak të kontekstit fetar, por i janë referuar “njeriut”, qenies humane”.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here