Botues dhe studiues: Fasada dhe propaganda e institucioneve arsimore e kulturore, shkaqet e rënies së leximit

    0
    501

    Botues dhe autorë të ndryshëm pohojnë se problemet me librin dhe leximin janë përgjegjësi dhe e politikave që ndiqen nga shteti. Në reagimet e tyre ata pohojnë se mungesa e politikave në ndihmë të librit, problemet me bibliotekat e varfra apo dhe titujt e librave që zgjidhen të përshtatur për lexim ndikojnë në këtë situatë. Studiuesi Behar Gjoka shprehet se deri tani politikat shtetërore kanë treguar që më tepër janë propagandë se sa kanë ndikuar për të përmirësuar këtë situatë prej vitesh me librin dhe leximin. “Janë shumë faktorë që kanë ndikuar në krizën e leximit, në mesin e tyre si më të prekshmet, politikat arsimore dhe kulturore, të një tipi fasadë, po kaq edhe politikat e botimeve. Politikat arsimore dhe kulturore, më tepër kanë bërë propagandë se kanë ndikuar në procesin e kthimit të interesit për librin dhe leximin. Institucionet shtetërore dhe private, botuesit dhe bibliotekat, libraritë duhet të hapin dyer realisht për prekur se deri në çfarë niveli ka zbritur kriza e leximit dhe të sugjerohen forma më tërheqëse për të kthyer vëmendjen e rinisë nga dija dhe libri”, pohon në reagimin e tij Gjoka.

    Edhe për botuesin Jani Malo shtëpia botuese “Neraida” nuk ka politika shtetërore në ndihëm të librit. “Politikat e shtetit janë ato që ndihmojnë librin, por nuk mund të kërkosh ndihmë nga shteti, përderisa nuk ka politika në mbështetje të përkthimeve, të botimeve cilësore, atëherë çfarë do të kërkosh? Natyrisht që duhet të jenë politikat e taksave , të tvsh të diferencuara për librin, që në një farë mënyre ka një lloj diferencimi, por nuk është sa duhet. Politikat e shtetit duhet të fillojnë që nga shkolla”, pohon botuesi Malo. Sipas tij sot ka rëndësi se çfarë lexohet. “Sot lexohet në shkolla libra të cilët jo vetëm tek ne, por dhe në vende të tjera nuk kanë vlera. Pak rëndësi ka lexojnë apo jo, më e rëndësishme është që çfarë lexojnë. Dhe nëse ne themi ka rënë leximi unë do të thosha ka rënë cilësia e leximit. Ata libra që shiten ose shkojnë në treg nuk janë të gjithë cilësorë, dhe zgjedhja duhet bërë pikërisht nga prindërit dhe mësuesit”, vijon ai.

    Libra të plotë, jo të përshtatur

    Në një status të tij pak ditë më parë në faqen e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë kryetari Petrit Ymeri mes të tjerave shkruan se problemi me librin dhe leximin duhet trajtuar me kujdes.  “Shoqata jonë e Botuesve ka organizuar anketime profesionale për leximin, ka zhvilluar shumë aktivitete e biseda për lexueshmërinë, sidomos për brezin e ri të lexuesve. Po a dëgjojnë ata që duhet të dëgjojnë, a shohin ata që duhet të shohin e të shqetësohen maksimalisht për këtë moskokëçarje shtetërore ndaj leximit, ndaj librit dhe lexuesit?! Ky është problemi i vërtetë, si do e përmirësojmë këtë gjendje, që nuk u krijua në një vit a dy, dhe çfarë duhet të bëjmë jo vetëm në dy-tre vitet që do vijnë, por në më shumë, që t’i shohim përmirësimet pas 10 vitesh të tjerë më pas”, shkruan Ymeri. Botuesi Luan Pengili nga shtëpia botuese “Omsca-1” tregon se një problem për të cilin pak flitet është dhe ai i librave të përshtatur. Por sa i talon leximit, ai nuk pranon krizën. “Lexueshmëria në Shqipëri nuk është as pak as shumë, por në kushtet normale, sepse argumentohet e tillë. Gjithë këto shtëpi botuese që janë sot me çfarë jetojnë?

    Por janë aq shumë shtëpi botuese dhe kanë rënë tirazhet. Nuk jemi në optimizmin e lartë, por dhe që të qarravitemi nuk jemi aty”, pohon botuesi. Në reagimin e tij ai shton se duhet menduar për pasurimin e bibliotekave dhe librat të jenë të plotë. “Unë i mëshoj faktit që shteti të investoje për librat në biblioteka. Të rekomandohet më të madhe që libri të jetë i plotë, që lexuesi të marrë librin e shkrimtarit jo atë të përshtaturit. Edhe në botë ekziston përshtatshmëria dhe behët për një lexues që është dembel. Kur jepet libri për lexim jashtë klase, bibliotekë duhet të jetë libri i plotë jo i përshtatur. Të jetë libri sa më i bukur artistikisht dhe të jetë tamam, jo i përshtatur, i cunguar, sepse kjo nuk shkon”, pohon botuesi Pengili./ Julia VRAPI

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here