Kineastët kërkojnë rikthimin e Festivalit të Filmit Shqiptar, i fundit u organizua në vitin 2012

    0
    701

    Festivali i filmit shqiptar i zhvilluar për herë të fundit në vitin 2012 për kineastët shqiptarë është një event i harruar nga institucionet, që duhet të zhvillohet patjetër. Kinematografia shqiptare sipas tyre gjatë këtyre viteve ka pasur filma për t’u zhvilluar një festival i tillë filmi. Një traditë për filmin shqiptar tashmë festivali ka mbetur vetëm në kujtesën e kineastëve. Në reagimet e tyre regjisorët Vladimir Prifti, Mevlan Shanaj apo dhe Bujar Alimani përballë problematikës, që ka sot kinemaja shqiptare pohojnë se festivali duhet të organizohet nga institucionet. Sipas tyre është Ministria e Kulturës ajo që duhet të ndihmojë Qendrën Kombëtare të Kinematografisë për zhvillimin e këtij festivali, që të jetë një ballafaqim vlerash kulturore, ku të marrin pjesë dhe filmat nga Kosova. Sa i takon zhvillimit të festivalit të filmit shqiptar kineasti i njohur Mevlan Shanaj pohon se mund të jenë një sërë shkaqesh, që ka munguar deri më tani. “Lidhur me festivalin me sa kuptohet nuk ka pasur prodhime për t’u mbajtur ose kanë qenë nën kriteret që kërkon një festival kombëtar i filmit. Ju mund t’ia drejtoni këtë pyetje sektorit përkatës në Ministrinë e Kulturës nëse ekziston, nëse kanë dijeni për një traditë serioze të festivalit të filmit shqiptar! Dhe cilat janë shpjegimet e tyre përse nuk zhvillohen festivalet e filmit, meqë para disa ditësh gjoja kishin bërë një studim për perspektivën e filmit?! Pra nuk duhet të shprehemi vetëm ne profesionistët, por mundësisht të dëgjohet edhe mendimi zyrtar”, cilëson ndër të tjera regjisori Mevlan Shanaj. Sipas regjisorit, deri më tani nga Ministria e Kulturës nuk është treguar interes për filmin shqiptar. “Unë di që buxheti për mbështetje të filmit është më i ulëti në rajon, për të mos thënë se është i papërfillshëm për prodhime serioze. Lidhur me interesimin e Ministrisë së Kulturës për filmin as qe ekzistojnë mekanizma të lexueshme nga ana e saj për filmin shqiptar. Duhet pranuar që nga ajo ministri apo nga shteti këto 28 vjet duhen konsideruar vite të braktisjes totale të filmit, ndërsa mbajtja në këmbë e QKK si një hallkë shtetërore do të thotë se ende filmi shqiptar po mbijeton”, pohon regjisori Shanaj.

    Organizimi i festivalit

    Regjisori Vladimir Prifti shprehet se zhvillimi i një festivali për filmin shqiptar nuk duhet vonuar nga institucionet. U bënë gjashtë vjet nga edicioni i 13, dhe është një event i munguar në kinematografinë shqiptare. “Besoj që dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka ndërmend një festival edhe pse do ketë probleme me buxhetin qendra. Një festival i tillë filmi kërkon mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, sepse nuk mund ta bëjë vetëm Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Festivali duhet bërë, shërben dhe për të ballafaquar vlerat. Gjithmonë ai festival filmi ka qenë me çmime. Nuk duhet vonuar më, sepse kemi prodhime filmi shqiptar”, pohon regjisori Vladimir Prifti. Duke theksuar se festivali kërkon të jetë në vëmendjen e ministrisë, sipas regjisorit i munguar prej gjashtë vitesh një nga shkaqet mund të ketë qenë dhe mungesa e prodhimeve. “Festivali i filmit shqiptar të jetë me të gjitha parametrat e një aktiviteti të tillë filmi, sepse ne kemi dhe Kosovën. Nëse ka munguar deri tani, mbase nuk ka pasur prodhime filmi apo mund të kenë qenë të dobëta, por festivali kërkon organizim nuk është e lehtë. Kemi dhe probleme me kinemanë se ku do të jetë. Nuk mund të bëhet në një sallë teatri dhe kërkon kinema”, pohon regjisori Prifti.  Mendimit të regjisorit Prifti i bashkohet dhe Bujar Alimani. I pyetur për zhvillimin e një festivali të filmit shqiptar ai pohon se nuk mund të mungojë. “Kanë kaluar gjashtë vjet, besoj duhet të zhvillohet festivali për filmin shqiptar”, pohon regjisori Alimani. Festivali i 13 i filmit shqiptar u zhvillua nga data 3 deri më 9 nëntor më 2012. Aktori Robert Ndrenika ishte president i festivalit, programi parashikonte 15 filma artistikë, 19 të shkurtër, 17 dokumentarë dhe 12 vizatimorë. Festivali i filmit shqiptar është harruar nga institucionet, por tradita e tij ka nisur që në vitin 1976.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here