Përmbysen të gjithë skenarët sa i takon çështjes së Izet Haxhisë. Ish-truproja i Azem Hajdarit në fillim të këtij viti u ekstradua nga Turqia dhe premtoi se do të luftojë për të hapur dosjen “Hajdari” dhe për të dërguar pas hekurave Sali Berishën. Por teksa të gjithë mendonin se Haxhia ka ardhur me prova dhe i përgatitur për t’u përballur me ish-kryeministrin Berisha, dje janë hedhur akuza të forta se e gjithë kjo është një lojë e tij. Juristi Romeo Kara ka reaguar dje përmes një statusi në rrjetet sociale, duke hedhur dritë mbi atë se çfarë po ndodh realisht. Kara është mik i familjes Haxhia dhe njihej për afërsinë me Izetin, por situata ka ndryshuar. Dje e dashura e Izet Haxhisë e sulmoi ashpër atë dhe Kara përmes një statusi në rrjetet sociale, deklaroi se Haxhia nuk ka ardhur këtu për të hapur dosjen “Hajdari”. Sipas tij, ai është i trembur nga Berisha dhe po ndjek lojën e tij. Zoti Kara tha se ndryshe nga sa është deklaruar nga Izeti se u dorëzua vetë për t’u ekstraduar, ai është arrestuar nga policia dhe është sjellë me forcë në Shqipëri. Sipas tij, ai nuk kishte asnjë dosje me vete dhe ishte tërësisht i papërgatitur për këtë proces, ndryshe nga sa ka deklaruar. “Mbasi kupa mbushet, çdo pikë e mëtejshme natyrisht që do të derdhet. Kështu ndodhi edhe me misionaren e së ligës Erjona, si dhe Don Kishotin Izet. Vlerësimet për Izetin mu rritën kur ai u pendua publikisht për çfarë ai kishte bërë përgjatë kohës që i shërbente Berishës. Mesa duket qeni kthehet gjithmonë tek i zoti, kështu që ka disa kohë që heroi i pendesës Izet, është bërë pishman pse u pendua. Izet Parruca Mourlon nuk mund të shijë dhe të mashtrojë këdo. Izet Parruca është në hall të madh, se do të përballet me Berishën dhe në përballje me të, do të inkriminohen patjetër që të dy. Do thoni ju: çfarë thua more? Izeti erdhi vete për t’u përballur me të. Kështu mendoja edhe unë, kur më telefonoi dhe më tha me zë të dridhur që: unë po dorëzohem, por të lutem komuniko me median. Dhe unë mendova: Ky qenka më trim dhe më i drejtë se unë, se ky që dorëzohet vetë nuk ka asnjë gjynah etj. Por jo, Izet Parruca Mourlon është arrestuar në një lokal në Kusadasi dhe pikërisht aty ku është arrestuar dhe herën e parë”, tha ai.
Përfshirja e Izet Haxhisë
Romeo Kara ka deklaruar dje se Haxhia nuk është i interesuar për të hapur dosjen “Hajdari”. Sipas tij, ai është i përfshirë vetë në ekzekutimin e ish-deputetit të PD dhe e di që do mbajë përgjegjësi nëse i shkon deri në fund. “Edhe pse u arrit të rihapej një proces i pamundur, ku një nga kontribuuesit më të mëdhenj ishte vëllai i tij Ismeti, pasi kishte bërë 15 vjet burg dhe e njihte shumë mirë çështjen, Izeti nëpërmjet të dashurës së tij virtuale, na ofendoi duke kërkuar largimin tonë. Arsyet për këtë i di ai, por i dimë edhe ne. Izetit dhe Saliut nuk i duhet një proces në dritë të diellit dhe gjithëpërfshirës. Izeti është mburrur shumë me denoncimet e Saliut, por kurrë nuk ka folur për çështjen Hajdari. Pse do të thoni ju? Se i djeg dhe i përvëlon. Minimumi ky trimi virtual le të thotë: kush e njoftoi Berishën për kasetën që Azemi ju dha Haklajve? Në cilin furgon ishte natën e vrasjes së Azemit? Ku ishte pas vrasjes së Azemit? Kush i zhduku armët apo armën e vrasjes së Azemit? Kush e njoftoi Berishën për praninë e Jaho Salihit aty, etj? Ja pra që paska shumë arsye që çështja të mos hapet”, tha ai. Kara ka hedhur dyshime dhe për rolin e të dashurës së Haxhisë. Sipas tij, është ajo e cila fshihet pas gjithçkaje, pasi e nxit Izetin për çdo gjë. Madje sipas tij, ajo i ka marrë dosjen gjyqësore me argumentin se do ja jepte babait të saj, por nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Sipas Karajt, është mister kujt ja ka dhënë dosjen Erjona. Pra duket se gjithçka është përmbysur dhe sinjalet janë se lëvizja e Haxhisë është vetëm një teatër./Kliti TOPALLI