Humbja e kryeministrit hungarez Viktor Orbán është pritur me lehtësim dhe optimizëm të kujdesshëm në Bruksel, ku liderët e Bashkimit Evropian shpresojnë për një ndryshim të kursit politik të Hungarisë drejt një linje më të afërt me BE-në.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi në rrjetet sociale duke theksuar se rezultati i zgjedhjeve sinjalizon një rikthim të Hungarisë në rrugën evropiane. “Hungaria ka zgjedhur Evropën. Evropa gjithmonë e ka zgjedhur Hungarinë. Së bashku, ne jemi më të fortë,” deklaroi ajo.
Edhe Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, përgëzoi liderin e opozitës Péter Magyar për fitoren, duke theksuar se “vendi i Hungarisë është në zemër të Evropës”.
Reagimet pozitive nga Brukseli nuk janë të papritura, pasi gjatë 16 viteve të qeverisjes së tij, Orbán ka pasur përplasje të shpeshta me institucionet evropiane. Çështje si politikat e migracionit, sundimi i ligjit dhe mbështetja për Ukrainën kanë qenë burime të vazhdueshme tensioni, ndërsa Hungaria shpesh ka përdorur veton për të bllokuar vendime kyçe të BE-së.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e cilësoi rezultatin si një sinjal të fortë të orientimit evropian të qytetarëve hungarezë. Në një reagim publik, ai tha se kjo është “një fitore që tregon lidhjen e popullit hungarez me vlerat e Bashkimit Evropian”.
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz përgëzoi Hungarinë dhe bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë në të ardhmen. “Le të bashkojmë forcat për një Evropë të fortë, të sigurt dhe të bashkuar,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, kryeministrja e Estonisë, Kristen Michal, e cilësoi rezultatin si një zgjedhje historike, duke theksuar se hungarezët kanë votuar për një të ardhme më të fortë brenda një Evrope të bashkuar.
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Hungari ende priten të konfirmohen zyrtarisht, por reagimet e para nga liderët evropianë tregojnë pritshmëri të larta për një ndryshim të rëndësishëm në politikën e jashtme dhe të brendshme të vendit.Ndërkohë, kryeministri suedez Ulf Kristersson tha se zgjedhjet “shënojnë një kapitull të ri në historinë e Hungarisë”.






































