Një sasi prej 600 copë gotash qelqi me origjinë nga Kina, u bllokuan para hedhjes në treg nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe AKU. Produktet u identifikuan pas një njoftimi nga prodhuesi Zebra A/S dhe përmes sistemit evropian të sigurisë ushqimore RASFF, ku u klasifikuan si “Alert” për shkak të pranisë së substancave të rrezikshme në produkte me origjinë nga Kina, të shpërndara përmes Danimarkës.
Sipas të dhënave zyrtare, produktet i përkasin kategorisë “materiale në kontakt me ushqimin”, ndërsa njoftimi është bërë nga Sllovakia, me nivel risku të vlerësuar si serioz. Arsyeja e ndërhyrjes lidhet me kontrollin zyrtar të ushtruar nga autoritetet përkatëse. Për këtë rast, është marrë masa administrative e ndalimit të përhershëm të tregtimit të këtyre produkteve në tregun shqiptar.
ISHMT bën të ditur se vijon monitorimin intensiv të tregut, me qëllim garantimin e sigurisë së produkteve dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të dyshimtë përmes faqes zyrtare të institucionit.









































