Shqipëria mund të jetë objekt i sulmeve terroriste nga grupet e lidhura me Iranin. Alarmi është dhënë ditën e djeshme nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila thekson se objektiv mund të jenë si subjekte të lidhura me SHBA, ashtu edhe elementë të opozitës iraniane që ndodhen në vend, pra përfaqësues të organizatës MEK në Manëz. Në njoftim theksohet se këto grupe mund të shënjestrojnë gjithashtu edhe ambiente publike dhe zona të frekuentuara nga qytetarët.
“Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Autoritetet amerikane u bëjnë thirrje qytetarëve të tyre që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të jenë vigjilentë për çdo situatë të dyshimtë. “Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, thekson Ambasada e SHBA. Po ashtu, ambasada u kërkon shtetasve të saj të monitorojnë mediat lokale, të jenë të vetëdijshëm për mjedisin përreth, të rishikojnë planet e sigurisë dhe të mbajnë telefonin celular të karikuar në rast emergjence. Shqipëria është ndër të paktat shtete në Europë që ka hyrë në konflikt me Iranin. Përplasjet nisën pasi Shqipëria mori rreth 3000 muxhahedinë iranianë, përfaqësues të opozitës iraniane.
Madje edhe vetë ish-lideri i Iranit, Ali Khamenei, para disa vitesh deklaroi: “Një vend i vogël europian, shumë i vogël dhe shumë i mbrapshtë ka bërë komplot me SHBA dhe tradhtarët e MEK kundër Iranit”. Por përplasjet u ashpërsuan pas sulmit kibernetik ndaj sistemeve shqiptare. Më pas u dëbua ambasadori dhe u mbyll ambasada. Ndërkohë, pak ditë më parë Shqipëria e shpalli Iranin si shtet që financon terrorizmin.
Çfarë është Organizata Muxhahedine e Iranit?
Një kompleks i fortifikuar në fshatin Manzë, pranë Tiranës, shërben si shtëpi për rreth 3 mijë anëtarë të Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (e njohur edhe si Mujahedin-e-Khalq – MEK), duke shënuar një kapitull të ri në historinë mbi 60-vjeçare të këtij grupi kontrovers. Lëvizja opozitare ka selinë në Shqipëri që prej vitit 2013, kur qeveria jonë pranoi strehimin e anëtarëve të saj me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara. Zhvendosja erdhi pas viteve pasigurie në Irak, ku grupi kishte qenë i vendosur më parë. E themeluar në vitin 1965, MEK u shfaq si një lëvizje islamike me prirje socialiste kundër sundimit të Shahut Mohammad Reza Pahlavi.
Gjatë viteve 1970, ajo kreu sulme të armatosura kundër monarkisë dhe shënjestroi gjithashtu interesa amerikane në Iran. Organizata fillimisht mbështeti Ruhollah Khomeini dhe Revolucionin Islamik të viteve 1978–1979. Megjithatë, marrëdhëniet me udhëheqjen e re klerikale u përkeqësuan shpejt. Grupi u ndalua, shumë anëtarë u arrestuan ose u detyruan të largoheshin nga vendi, ndërsa organizata vazhdoi aktivitetin opozitar nga mërgimi. Në vitet 1980, MEK u zhvendos në Irak, ku veproi nga baza të ofruara nga qeveria e Saddam Hussein. Nga territori irakian, organizata ndërmori operacione ushtarake kundër Iranit gjatë luftës Iran-Irak, një veprim që mbetet thellësisht i debatueshëm mes shumë iranianëve dhe ka nxitur pakënaqësi të fortë ndaj saj. Shtetet e Bashkuara e shpallën MEK-un organizatë terroriste në vitin 1997, për shkak të përfshirjes së saj në akte dhune në të kaluarën.
Megjithatë, pas një fushate të gjatë ligjore dhe politike, Departamenti Amerikan i Shtetit e hoqi grupin nga lista e organizatave terroriste në vitin 2012, duke argumentuar se kishte hequr dorë nga dhuna dhe kishte bashkëpunuar në mbylljen e kampeve paraushtarake në Irak. MEK riktheu vëmendjen ndërkombëtare në vitin 2002, kur bëri publik ekzistencën e një impianti të padeklaruar për pasurimin e uraniumit në Iran, duke nxitur kontroll më të rreptë ndërkombëtar mbi programin bërthamor të Teheranit.
Pas rrëzimit të Sadam Huseinit në vitin 2003, pozicioni i grupit në Irak u bë gjithnjë e më i pasigurt. Nën presionin e autoriteteve irakiane dhe për shkak të shqetësimeve për sigurinë, anëtarët e tij u transferuan gradualisht jashtë vendit, proces që kulmoi me zhvendosjen përfundimtare në vendin tonë.









































