Shtrenjtohet sërish çmimi i naftës në vend. Në mbledhjen që u zhvillua mëngjesin e kësaj të shtune, Bordi i Transparencës së Hidrokarbureve ka vendosur rritjen e çmimit të naftës me 15 lekë dhe të benzinës me 6 lekë për tregun e pakicës. Nga 203 lekë, çmimi i naftës u rrit në 218 lekë për litër, ndërsa benzina nga 175 lekë arriti në 181 lekë për litër.
Në mbledhjen e parë të zhvilluar ditën e premte, Bordi i Transparencës vendosi të ulë çmimet. Nga 214 lekë për litër, çmimi qëndroi për 8 ditë dhe u ul në nivelin e 203 lekë për litër. Ndërsa benzina, nga 199 lekë për litër, u vendos në 175 lekë për litër. Por çmimet e vendosura hasën kundërshtime nga importuesit e naftës. Në një letër dërguar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ata ngritën shqetësimin për llogaritjet e bëra gabim, të cilat vendosnin çmime nën kosto.
Për rrjedhojë, ata kërkuan që të mblidhet bordi dhe të rishikohet metodologjia e përllogaritjes; në të kundërt, kjo do të sillte humbje të mëdha për ta dhe do të ishin të detyruar të pezullonin furnizimin.
Por rritje e çmimit të naftës ka pasur edhe në bursat e huaja, për shkak të pasigurisë që po krijon mungesa e furnizimeve nëpërmjet Kanalit të Hormuzit nga iranianët. Në bursat e huaja, nafta këtë të shtune tregtohet me 112 dollarë për fuçi, nga 109 dollarë që ishte një ditë më parë.
Njoftimi i plotë:
Bordi i Transparencës në datë 28 Mars 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 218 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 206 lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 181 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.
🗓Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 28 Mars ora 10.30 a.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.
🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
🛢 Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarw dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.







































