Rreth 40% e kapacitetit të eksporteve të naftës së Rusisë, ose rreth 2 milion fuçi në ditë, janë jashtë funksionit, duke shënuar ndërprerjen më të madhe të furnizimit me naftë në historinë moderne të vendit, njofton Reuters.
Ukraina sulmoi këtë muaj të tre portet kryesore perëndimore të naftës së Rusisë. Dy porte në Detin Baltik pezulluan ngarkimet pasi sulmet me dron shkaktuan zjarre, njëri prej të cilëve ka qenë në flakë për disa ditë, me tym të dukshëm nga Finlanda.
Porti më i madh rus në Detin e Zi po funksionon me kapacitet të reduktuar që nga sulmet e mëparshme. Dëmet shtohen edhe nga një tubacion i prishur dhe tankerë të sekuestruar.
Eksportet e naftës dhe gazit financojnë rreth një të katërtën e buxhetit të shtetit rus. Ndërprerja e furnizimit ndodh ndërsa çmimi i naftës tejkalon 100 dollarë për fuçi, në sfondin e tensioneve nga lufta në Iran.






































