Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë përshkallëzuar ndjeshëm ofensivën ushtarake ndaj Iranit, duke goditur një sërë objektivash strategjikë, përfshirë struktura nëntokësore dhe fabrika të prodhimit të raketave balistike.
Sipas Komandës Qendrore Amerikane, ushtria e SHBA-së ka bombarduar një strukturë nëntokësore në vijën bregdetare të Iranit, e cila konsiderohej si një kërcënim serioz për transportin ndërkombëtar detar. Admirali Brad Cooper bëri të ditur se në këtë operacion janë përdorur bomba të fuqishme 5,000 paundëshe.
Ai theksoi se SHBA është e fokusuar në kontrollin e situatës në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të tregtisë globale të naftës. Sipas tij, deri më tani janë goditur mbi 8,000 objektiva ushtarake në territorin iranian.
Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF) njoftuan se gjatë natës kanë kryer një valë sulmesh në Teheran, duke shënjestruar fabrikat e raketave balistike dhe infrastrukturën e lidhur me to.
Sipas IDF, në shënjestër kanë qenë një kompleks i rëndësishëm i Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) për zhvillimin e komponentëve të raketave, një depo raketash si dhe një strukturë për prodhimin e karburantit për raketa.
Autoritetet izraelite deklaruan se këto sulme pritet të “degradojnë ndjeshëm” aftësinë e Iranit për të prodhuar raketa balistike, duke paralajmëruar se ofensiva do të vijojë edhe në ditët në vijim.









































