Gjykata Kushtetuese ka refuzuar padinë e eurodeputetit Fredi Beleri, i cili më 16 shkurt të këtij viti kundërshtoi vendimin e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion për dënimin me 2 vite burg për akuzën “korrupsion aktiv në zgjedhje”, si dhe vendimin e Apelit të Posaçëm dhe atë të Gjykatës së Lartë që konfirmuan dënimin e dhënë nga GJKKO.
“Dhionisios Alfred Beleri Nr. 1 (Dh) 2026 Regj.Them, datë 03.02.2026 Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimeve nr. 160 (87-2024-217), datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2025-1179, datë 15.07.2025 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. 10.03.2026 Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare”,- njofton Gjykata Kushtetuese.
Ish-kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri, u arrestua më 12 maj 2023, 2 ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve lokale dhe u dënua më 5 mars 2024 nga GJKKO me 2 vite burg, vendim i konfirmuar dhe në Apelin e Posaçëm. Si bashkëpunëtor i tij u dënua dhe Pandeli Kokaveshi me 1 vit e 6 muaj burg, masë që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet.
Beleri ankimoi vendimin e GJKKO në Gjykatën e Lartë që la në fuqi dënimin me burg. Pas qëndrimit thuajse 16 muaj në qeli, Fredi Beleri u lirua me kusht me argumentin se ka kryer dy të tretat e dënimit.
Teksa vuante dënimin në Shqipëri, Fredi Beleri mori mbështetje nga Athina zyrtare dhe në 10 qershor të vitit 2024 u zgjodh eurodeputet nën siglën e “Demokracia e Re”, të kryeministrit Mitsotakis. Në korrik 2024 Beleri u betua në Strasburg me lejen e autoriteteve shqiptare.








































