SPAK u ka komunikuar akuzën Fatmir Hoxhaj, Alban Beqaj, Ergy Cirici, Elvira Plaka dhe Ridvan Zoto që akuzohen për dosjen e “Bankers”. Konkretisht ata akuzohen për veprën penale shpërdorim detyre dhe shkak i komunikimit të akuzave janë afatet që parashikon vepra penale për të parandaluar parashkrimin.
Ndërsa për pjesën tjetër, që akuzohen për vepra penale si korrupsioni, pastrimi i parave dhe grup krominal po vijon hetimi dhe nuk iu është bërë ende komunikimi i akuzës. Subjektet kryesore të kësaj dosje janë ish-administratori i Bankers Petroleum Leonidha Çobo, ceo kinez Hong Ping Xiao, ndërsa në kërkim janë edhe disa shtetas të huaj.
Drejtuesi i Bankers Hongping Xiao dhe ish-drejtori i përgjithshëm, Leonidha Çobo, u arrestuan nën akuzat e mashtrimit, pastrimit të parave dhe abuzimit me detyrën ndërsa 4 persona u shpallën në kërkim.
Sipas prokurorisë, drejtuesit e Bankers akuzohen se kanë fryrë shpenzimet e kompanisë përmes transferimit të parave në palë të lidhura apo me kontrata të dyshimta, gjë që ka sjellë nxjerrjen e kompanisë më humbje dhe mospagesën e tatimit mbi fitimin në buxhetin e shtetit.
Sipas ligjit aktual, kompanitë e naftës mundet të arrijnë marrëveshje me autoritetet shqiptare me qëllim që të nxjerrin naftë në operacione private, por në këtë rast, tatimi mbi fitimin është në masën 50%.
Që nga themelimi në vitin 2004, kompania ka shitur naftë me vlerë 532 miliardë lekë ndërsa ka deklaruar shpenzime në masën 684 miliardë lekë, duke i shtyrë prokurorët të pyesin se cili është motivimi që pronarët e kompanisë vijojnë operacionet kur kompania del në vijimësi me humbje si dhe të ngrenë dyshime nëse pronarët, të cilët mbeten të panjohur, kanë gjetur mënyra alternative për të transferuar fitimet nga kompania.







































