Adriatik BALLA
Lojtarët e përfaqësueses që luajnë në Itali dhe në Turqi përbëjnë kontigjentet më të mëdha të kuqezinjve tanë që luajnë jashtë. Natyrisht, për trajnerin Silvinjo më të vlefshëm janë ata që luajnë në Serie A, për shkak se aktivizohen në një kampionat më të fortë dhe kanë premisa më të mëdha për të qenë titullarë në radhët e Kombëtares. Por në kampionatin turk janë shtuar së fundmi disa titullarë të Kombëtares si Manaj, Muçi dhe Asllani, pa lënë mënjanë të tjerët.
Seferi vijon të tundë rrjetat në ligën e dytë turke
Sulmuesi kuqezi, Taulant Seferi, vazhdon të lërë shenjën e tij në kategorinë e dytë turke me fanellën e Bodrumspor, ku është kthyer në golashënuesin kryesor të ekipit që lufton për ngjitjen në Superligë. Në ndeshjen e sotme ndaj Igdir në transfertë, Seferi la përsëri gjurmën e tij duke tundur rrjetën që në minutat e para. Ai transformoi me qetësi një penallti, duke i dhënë avantazhin e përkohshëm 1-0 ekipit të tij. Ky ishte goli i 15 i këtij kampionati për Seferin, i cili është në pritje të ftesës për t’u bërë përsëri pjesë e Kombëtares shqiptare pasi ishte lënë paksa në harresë nga Silvinjo gjatë kualifikuesve të Botërorit. Ndërkaq, në këtë ndeshje për Bodrumspor shënoi edhe ish-mesfushori i Shpresave, Omar Imeri, i cili në pjesën e dytë mori topin në gjysmëfushën e vet dhe arriti deri në zonën kundërshtare për të realizuar një gol spektakolar pas një sprinti të gjatë.
Gjimshiti me rekorde te Atalanta
Ndeshja ndaj Bajernit të Mynihut në Ligën e Kampioneve nuk do të kujtohet me shumë nostalgji nga tifozët e klubit bergamask, pasi humbja 1-6 përballë gjermanëve ishte një shpërbërje totale e skuadrës. Por për Berat Gjimshitin, aktivizimi në pjesën e dytë, shënoi një tjetër gur kilometrik për karrierën e tij të jashtëzakonshme me këtë klub ku ka shkruar historinë. Kjo ishte ndeshja e 324-t zyrtare e Gjimshitit me fanellën e klubit italian, duke u ngjitur i vetëm në vendin e pestë në renditjen e të gjitha kohëve me bergamaskët ku tashmë gëzon statusin e ikonës. Ai ka lënë pas me një ndeshje më pak kapitenin legjendar të këtij klubi, ish-futbollistin e Italisë, Kristiano Doni, duke hedhur sytë drejt një tjetër ikone të klubit, Valter Bonaçina, i cili ka luajtur 3 ndeshje më shumë. Gjimshiti mbetet një nga lojtarët më të spikatur të Atalantës edhe në turneun më të rëndësishëm për klube, pasi ajo ndaj Bajernit ishte ndeshja e tij e 38 në Ligën e Kampioneve, duke qenë futbollisti i dytë më i aktivizuar i skuadrës italiane në historinë e saj, me vetëm De Run që e kalon.
Flavio Sulejmani zgjat kontratën me Lacion
Flavio Sulejmani ka vendosur që të zgjatë bashkëpunimin me klubin e Lacios, teksa ka rinovuar marrëveshjen që kishte me bardhekaltrit, duke e zgjatur atë tashmë edhe si një futbollist profesionist. Sulejmani, pjesë e rregullt në këto vite e përfaqësueseve të moshave të Shqipërisë, është që nga viti 2023 pjesë e të rinjve të Lacios, që e bleu nga Peruxhia për një marrëveshje që i afrohej shifrës 1 milion euro. Ai ka shkëlqyer me kampionatet e moshave të Lacios dhe këtë vit ka qenë vazhdimisht protagonist me gola në ekipin Primavera. Sulmuesi 19-vjeçar, sot ka hedhur firmën në kontratën e re, që do ta bëjë pjesë të Lacios deri në vitin 2029.







































