Lufta kundër krimit të organizuar duket se ka hyrë në një fazë të re ndërkombëtare. Brenda 24 orëve, autoritetet në Francë, Meksikë dhe nëpërmjet Europolit në 71 shtete kanë zbatuar operacione që paralizojnë rrjetet e drogës, pastrimit të parave dhe krimit mjedisor, duke dërguar një mesazh të qartë: epoka e mosndëshkimit po merr fund.
Operacion i madh kundër “DZ Mafia” në Marsejë
Në Francë, policia ndërmori një operacion të gjerë kundër rrjetit të drogës të njohur si “DZ Mafia”, një organizatë kriminale që operonte në Marsejë dhe zonat përreth. Operacioni u zhvillua pas një hetimi që kishte zgjatur më shumë se një vit dhe përfshiu bastisje në disa departamente, mes tyre Bouches-du-Rhône, Var, Vaucluse dhe Gard. Si rezultat: 42 persona u arrestuan, përfshirë drejtuesit kryesorë dhe një avokat të dyshuar si bashkëpunëtor. Autoritetet franceze identifikuan si drejtues të rrjetit: Amine O. (“Mamine”), Gabriel O. (“Gaby”) dhe Mahdi Z. (“La Brute”). Ata akuzohen për drejtim të organizatës kriminale, trafik droge, tentativë vrasjeje, pastrim parash dhe zhvatje biznesesh. Hetuesit dyshojnë se fitimet nga trafiku i kokainës dhe kanabisit investoheshin në pasuri të paluajtshme dhe biznese, një skemë klasike e pastrimit të parave të mafies moderne. Lufta e tyre për territor në vitin 2023 e shndërroi Marsejën në një fushë beteje, duke lënë pas 49 viktima, shifër që alarmoi jo vetëm opinionin publik, por edhe shtetin francez.
Një rrjet që lindi gjatë pandemisë
Sipas hetimeve, rrjeti “DZ Mafia” u formua gjatë pandemisë së COVID-19 në lagjen sociale La Paternelle në Marsejë. Grupi fillimisht kontrollonte trafikun lokal, por më pas u zgjerua dhe hyri në një luftë të përgjakshme për territor me një organizatë rivale.
Kartelet në Meksikë nën presion
Në të njëjtën kohë, zhvillime të rëndësishme po ndodhin edhe në Amerikën Latine. Pas vdekjes së liderit të kartelit Jalisco New Generation (CJNG), Nemesio Oseguera, i njohur si “El Mencho”, dy drejtues të lartë të organizatës kanë njoftuar se do të pranojnë fajësinë në gjykatat amerikane. Bëhet fjalë për Erick Valencia (“El 85”) dhe Abigael González (“El Cuini”). Dorëzimi i tyre para drejtësisë amerikane pritet të hapë kutinë e zezë të financave dhe lidhjeve ndërkombëtare të CJNG, duke e dobësuar ndjeshëm kartelin e konsideruar si një nga kërcënimet më të mëdha të drogës në SHBA.
Operacion global i Europolit
Paralelisht, Europol ka koordinuar një operacion ndërkombëtar kundër rrjeteve të krimit ekonomik dhe mjedisor. Operacioni, i koduar “Custos Viridis”, përfshiu autoritete nga 71 shtete në pesë kontinente dhe rezultoi në 1 048 kontrolle, 337 arrestime, sekuestrimin e 127 mijë ton mbetje të paligjshme dhe konfiskimin e rreth 10 milionë eurove. Operacioni zbuloi një anë tjetër të krimit të organizuar: atë që nuk shet drogë, por helmon mjedisin dhe pastron para përmes trafikut të paligjshëm të mbetjeve, një treg miliarda dollarësh.
Një luftë globale kundër mafies
Operacioni në Marsejë, zhvillimet në Meksikë dhe aksionet ndërkombëtare të Europolit tregojnë se lufta kundër krimit të organizuar nuk është më një çështje lokale. Mafiet sot operojnë përtej kufijve, ndërsa shtetet po përgjigjen me hetime të përbashkëta, shkëmbim inteligjence dhe operacione të koordinuara ndërkombëtare. Ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë qartë se goditjet ndaj strukturave kriminale po intensifikohen dhe po prekin gjithnjë e më shumë drejtuesit e tyre. Në një botë ku trafiku i drogës, pastrimi i parave dhe krimi ekonomik lidhen në rrjete globale, lufta kundër mafies duket se ka hyrë në një fazë të re. Nëse e kaluara e ka parë krimin e organizuar si një hije që ndjek ekonominë legale, e ardhmja duket se po e ndërton atë si një objektiv primar të aleancave globale të sigurisë.
Operacioni global kundër mafies/ Shqipëria në listë: SPAK, Antimafia dhe Gjermania nisin goditjet e reja
Por ndërsa operacionet godasin në Francë dhe Meksikë, burime pranë Prokurorisë së Posaçme bëjnë me dije se goditje të reja të koordinuara priten në Shqipëri në ditët në vijim. Antimafia Italiane dhe drejtësia gjermane, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK-un dhe BKH-në, kanë finalizuar disa dosje hetimore që pritet të çojnë në arrestimin e shtetasve shqiptarë të përfshirë në rrjete ndërkombëtare të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Tani, burimet flasin për një fazë të re, më të koordinuar. Vizita e fundit e raportuesit gjerman Peter Beyer në Tiranë dhe takimi i tij me kreun e SPAK, Klodian Braho, sinjalizojnë se Berlini po kërkon rezultate të prekshme në luftën kundër karteleve të drogës, të cilat jane të lidhura me nivele të larta shtetërore. Pritshmëria është që operacionet e reja të sjellin përpara drejtësisë jo vetëm ekzekutorë, por edhe financuesit dhe drejtuesit e rrjeteve që veprojnë mes dy brigjeve të Adriatikut dhe më gjerë në Europë.







































