Në politikën shqiptare shpesh ngjarjet më interesante nuk ndodhin në foltoren e Parlamentit, por në korridore, në telefonë dhe gjithnjë e më shpesh në grupet e WhatsApp-it të deputetëve. Kështu duket se ka ndodhur edhe pas episodit të fundit në Kuvend, ku kryeministri Edi Rama doli në mbrojtje të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Por ndërsa linja zyrtare e mbrojtjes u shpall publikisht, jo të gjithë në radhët e mazhorancës duket se ishin në të njëjtën frekuencë.
Deputeti i PS, Eduard Shalsi u pa i përqendruar në telefonin e tij gjatë momentit kritik, ndërsa ish-kryetarja e Kuvendit, njëherësh ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, sipas burimeve, nuk u rreshtua as në kampin “pro” dhe as në atë “kundër”, duke thelluar kështu sherrin brenda PS dhe duke i hapur rrugë një kryengritje brenda Partisë Socialiste. Në të njëjtën kohë, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste kanë munguar edhe dy emra të rëndësishëm të mazhorancës: deputetë Erion Braçe dhe Damian Gjiknuri.
Mungesa e tyre nuk ka kaluar pa u komentuar në korridoret e Kuvendit. Një detaj i vogël në dukje, por që ka ndezur menjëherë një garë të ethshme në grupet e WhatsApp-it të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Deputetët, si në një kronikë sportive, po përpiqen të jenë të parët që të japin versionin e tyre: çfarë ndodhi realisht? Ishte thjesht një moment shpërqendrimi apo një sinjal i vogël i betejave të brendshme? Sepse në politikë gjestet e vogla shpesh tregojnë historitë më të mëdha.
Dhe historia që po qarkullon tani në korridoret e mazhorancës nuk lidhet me parime apo me qëndrime ideologjike. Ajo lidhet me diçka shumë më tokësore: betejat e brendshme për pushtet. Në një moment kur kryeministri përpiqet të shfaqë një front të fortë përballë drejtësisë dhe krizave politike, duket se brenda vetë mazhorancës po zhvillohet një tjetër ndeshje, më e heshtur, por jo më pak e rëndësishme. Dhe në këtë ndeshje, ndonjëherë mjafton një telefon në dorë, një mungesë në mbledhje dhe një votë që nuk hidhet për të treguar se jo të gjithë janë në të njëjtën linjë.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë kujtojmë se përplasje dhe fërkime mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres së Jashtme, Elisa Spiroapli ka pasur edhe më herët. Disa ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë disa ndryshime të mëdha në kabinetin e tij qeverisës, duke shkarkuar shtatë ministra, përfshirë zëvendëskryeministren dhe ministres e Energjisë, Belinda Balluku, e cila është nën hetime për korrupsion, raportoi të enjten televizioni shtetëror shqiptar, RTSH.
Në mesin e të shkarkuarve gjatë një mbledhjeje, ishte edhe ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali. Ndërkohë disa javë më parë Rama pati kritika për Ministrinë e Jashtme që drejtohej nga zonja Spiropali, ku tha se është një institucion që ka nevojë për një reformë të thellë ku duhen përfshirë edhe njerëz të rinj dhe nga diaspora. Këtë deklaratë Rama e bëri në fjalën përmbyllëse gjatë një takimi me grupin parlamentar socialist, ku bëri të ditur gjithashtu se këtë pranverë do të mbahet edhe Samiti i Diasporës. “Ministria e Jashtme është një tjetër dështim i madh i ynë. Nuk është reformuar asnjëherë, edhe një ligj që u bë si reformë ishte thjesht një tualet.
Ligji duhet të jetë i tillë që të fusë njerëz të rinj. Mos harroni se Shqipëria ka edhe njerëz jashtë, në diasporë. Samitin e Diasporës do ta kemi në pranverë por na duhet një kontakt i vazhdueshëm me Diasporën”, tha Rama. Po pse Rama e sulmonte Spiropalin. Zonja Spiropali është një nga zyrtarët e lartë të PS që ka marrëdhënie aspak të mira me Ballukun.
Brenda socialistëve emir i Spiropalit përflitet si një nga opsionet e mundshme që mund të marrin drejtimin e PS pas largimit të afërt të Ramës. Grupi që përfaqëson Spiropali është ekspozuar si jo i afërt me Ramën. Duke qenë se Rama tashmë është në panik për fundin që e pret, ai ka nisur sulmet ndaj Spiropalit duke e parë atë si një person të pa dëshiruar. Rama u hakmor në mënyrë shumë të egër ndaj Veliajt kur pa se ai po punonte pas shpinës së tij për ta larguar nga qeveria dhe drejtimi i PS. Tani mesazhet po jepen për Spiropalin.










































