Mesnatën e 17 majit 2025, një studente ukrainase, banore e rrugës “Farborets väg 3” në Malmo të Suedisë, u zgjua së bashku me nënën e saj nga një zhurmë e fortë, e ngjashme me thyerjen e xhamave përtokë.
Ajo doli të shihte se ç’po ndodhte në dritare dhe u gjend përballë një shfaqjeje të frikshme, ku silueta burrash të veshur me të zeza dhe me maska në kokë po vraponin në errësirë drejt një godine parkimi. Të tjerë dëshmitarë i panë burrat e maskuar teksa ngarkonin pako të dyshimta nëpër makina dhe largoheshin me motorë.
“Një makinë kaloi me shpejtësi duke bërë një zhurmë gërryese dhe të frikshme gomash,” i tha studentja ukrainase policisë suedeze pas ngjarjes.
E njoftuar fillimisht për një vjedhje të dhunshme, policia gjeti në vendngjarje një skenë surreale.
Më shumë se 231 kilogramë kokainë me vlerë tregu prej 23 milionë eurosh u gjend e shpërndarë në oborr, në rrugë, nëpër shkallë si dhe brenda një apartamenti.
Disa prej pakove ishin të stampuara me logon “Manchester City” – ato u kishin rënë grabitësve përtokë nga nxitimi, pasi ishin nxjerrë nga thasë me mbishkrimin IKEA dhe kuti kartoni të shqyera. Apartamenti ku mbahej droga ishte gjithashtu një skenë krimi, me njolla gjaku të shpërndara në një dritare me xhama të thyer dhe nëpër perde.
Sipas një fashikulli voluminoz gjyqësor të autoriteteve suedeze që BIRN e disponon, ndërhyrja e policisë shënoi epilogun e një operacioni trafikimi të një ngarkese kolosale prej 1.5 ton kokainë nga Kosta Rika në Suedi, i cili doli tërësisht jashtë kontrollit për shkak të një grabitjeje gjysmë të suksesshme nga grupe kriminale rivale.
Çështja nuk përfaqëson thjesht një histori kriminale në rrugët e Malmos, por një dritare prej nga mund të shihet se si krimi i organizuar përdor logjistikë ndërkombëtare, lëviz ngarkesa qindra milionëshe në oqean dhe rekruton “ekspertë” thuajse nga e gjithë bota për të bërë ‘punën e pistë’.
Sipas dosjes hetimore, pas operacionit të trafikimit të ngarkesës prej 1.5 ton dhe grabitjes së një pjese të saj fshihen grupe kriminale nga Shqipëria, Suedia, Norvegjia, Bjellorusia, Turqia, Bosnja, Danimarka, Holanda dhe Belgjika.
Të paktën katër shqiptarë janë identifikuar si të implikuar dhe njëri prej tyre ndodhet në bankën e të akuzuarve në Suedi për akuza që lidhen me njërën prej hallkave të zinxhirit të trafikimit; atë të nxjerrjes së kokainës nga porti dhe transportimit të saj në një bazë që mendohej si e sigurt.
Autoritetet suedeze thonë se u kanë kërkuar ndihmë homologëve shqiptarë për gjurmimin e tre prej të dyshuarve, por në Shqipëri, policia, prokuroria dhe Interpoli thonë se nuk kanë asnjë dijeni për rastin.
Nga Kosta Rika në Helsingborg
Për të kuptuar çfarë ndodhi mesnatën e 17 majit 2025 në Malmo – qyteti i tretë më i madh i Suedisë – duhet të kthehesh disa javë pas në kohë.
Më 23 prill 2025, një kontejner detar po transportohej në rrugë tokësore mijëra larg Suedisë, nga qyteti Moin drejt portit Puerto Limon buzë detit të Karaibeve në Kosta Rika. Sipas të dhënave të siguruara nga hetuesit suedezë, kontejneri iu dorëzua i zbrazët transportuesit dhe dy ditë më vonë, ai e riktheu atë në port të mbushur me banane.
Më 28 prill 2025, kontejneri u ngarkua në bordin e anijes tregtare “MSC ANISHA R”. Përveç bananeve, brenda tij dyshohet se ishte fshehur një sasi prej 1.5 ton kokainë me një vlerë të përllogaritur tregu prej 180 milionë eurosh.
Udhëtimi i drogës zgjati rreth dy javë përmes Oqeanit Atlantik, për të mbërritur fillimisht në portin e madh evropian të Antwerp-it në Belgjikë. Në të njëjtën ditë ai u nis përmes një anije të dytë drejt portit të Helsingborgut në Suedi.
Më 13 maj 2025, në orën 14:48, kontejneri preku tokën suedeze në Helsingborg – një qytezë me ndërtesa piktoreske dhe kështjella historike. Një orë më vonë, kontejneri u nxorr vjedhurazi nga porti me një kamion që drejtohej nga një shtetas bjellorus i quajtur Ilia Kirylau.
Hetimet më pas treguan se Kirylau kishte shkuar enkas në Suedi për të kryer këtë shërbim – i sprovuar më parë në punë të ngjashme në Gjermani dhe shtete të tjera.
Kompania që importonte bananet denoncoi mungesën e kontejnerit dhe rasti u referua nga doganat. Prej këtij momenti, policia suedeze u vu në lëvizje për të gjetur kontejnerin dhe personat e implikuar, lëvizjet e të cilëve u rindërtuan nga kamerat e sigurisë në rrugë dhe gjurmimit të antenave celulare.
Hetimet zbuluan se ndërsa kontejneri ishte ende në det, një makineri njerëzore në anën tjetër të Evropës ishte vënë tashmë në lëvizje dhe kishte planifikuar thuajse gjithçka.
Për jetë a vdekje

Rrjetet ndërkombëtare të krimit të organizuar nuk mbështeten vetëm te forca apo fuqia financiare, por sidomos nga logjistika e duhur. Për të menaxhuar këtë sasi marramendëse kokaine, një ekip i vogël operativ u dërgua me urgjencë nga Shqipëria drejt Suedisë.
Të dhënat e siguruara nga fashikujt gjyqësorë të siguruar përmes një kërkese për të drejtë informimi në Gjykatën e Qarkut të Malmos identifikojnë si të dyshuar shtetasit Antonio Çepele, Klisman Hoxha, Toni (Taulant) Hyskaj dhe Murat Zyka – të katërt me origjinë nga qarku i Fierit.
Murat Zyka, 32 vjeç, është rezident në Malmo dhe qiramarrës i apartamentit ku u strehua dhe u grabit kokaina si dhe një prej pesë personave të pandehur për këtë çështje në Suedi. Ndërkohë, pozita penale e tre personave të tjerë është ende e paqartë.
Autoritetet suedeze kanë zbuluar se Antonio Çepele dhe Klisman Hoxha fluturuan me një linjë komerciale nga Tirana në Malmo më 12 maj 2025, një ditë përpara mbërritjes së kontejnerit me drogë në Helsingborg. Në të njëjtën ditë, edhe Toni (Taulant) Hyskaj udhëtoi në Malmo nga Amsterdami.
Sipas dosjes hetimore, shqiptarët u rekrutuan për të nxjerrë kokainën nga porti dhe për ta transportuar atë në apartamentin e Murat Zykës, në rrugën “Farborets väg 3” në periferi të Malmos.
Në dosjen suedeze, Çepele identifikohet si djali me “Calvin Klein”, ndërsa Hoxha si “Atletet e Bardha”. Lëvizja e parë që ata bënë ishte marrja e një makine me qira, ndërsa përmes kamerave dhe antenave celulare, autoritetet suedeze identifikuan itinerarin e tyre, kryesisht rreth apartamentit ku jetonte Zyka. Ky i fundit ua lëshoi atë tre të sapoardhurve dhe dërgoi gruan dhe fëmijën e tij për disa ditë tek një tjetër shqiptar që jetonte në Malmo.
Në dëshminë e tij për hetuesit suedezë, Zyka këmbënguli se deri në momentin kur ngarkesa u dërgua në shtëpinë e tij dhe pakot u hapën, ai nuk e dinte se për çfarë bëhej fjalë. Zyka tha se u punësua për 700 mijë krona suedeze [ rreth 66 mijë euro] për të gjetur një vendqëndrim për kamionin nga një i njohur që e telefonoi nga Shqipëria, i identifikuar prej tij me emrin Adriano.
Ai tha gjithashtu se kur e kuptoi që po strehonte drogë, nuk mund të tërhiqej pas.
“Shefi më tha që është çështje jete a vdekje… Nuk kisha asnjë zgjidhje, më vunë në presion,” u tha ai hetuesve.
Sipas të dhënave të mbledhura nga BIRN, Çepele, Hoxha dhe Zyka nuk kanë precedentë të mëparshëm në Shqipëri dhe janë pothuajse të panjohur për policinë lokale në Fier.
Hyskaj nga ana tjetër është hetuar edhe më herët për krime të lidhura me drogën në vitin 2016 në Zvicër, sipas një dokumenti të Interpolit që BIRN e disponon.
Lidhja norvegjeze
Paralelisht me grupin e tre shqiptarëve, drejt Malmos u nisën me urgjencë edhe tre shtetas norvegjezë, njëri prej të cilëve me lidhje të hershme me shqiptarë të përfshirë në trafikun e drogës.
Grupi drejtohej nga Martin Ari Parlemen dhe dy të rinj pa shumë përvojë, të quajtur Mohammed Abdi-Weli dhe Elias Hadibi, ky i fundit vetëm 17 vjeç.
Të dhënat e dosjes suedeze sugjerojnë se Parlemen u rekrutua nga “Jonny Weed” – një shqiptar që mendohet se qëndron në Spanjë, me të cilin kishte bërë më parë trafik kanabisi.
Parlemen i mbante kontaktet me “Jonny Weed” në aplikacionin “Signal” – ku autoritetet suezede gjetën edhe bisedën e rekrutimit të tij të datës 11 maj 2025.
Në mesazhe, Jonny Weed e thërriste atë në shqip “Vlla”.
“Vlla… Është urgjente. Kam një punë shumë të mirë në Suedi. Është e lehtë,” shkruhet në mesazh.
Parlemen dyshohet se nuk e bënte këtë punë për herë të parë; në telefonin e tij policia gjeti foto ku ai pozonte me tufa me para, me kallashnikov apo armë të tjera. Ai e pranoi punën dhe mori me vete për kamuflazh Mohammed Abdi-Weli dhe Elias Hadibi – të cilët do të shërbenin për ta maskuar udhëtimin si një përpjekje për të filmuar një videoklip muzikor. Elias ishte reperi dhe Mohammed menaxheri.
Pasi mbërritën në Malmo, ata prenotuan një apartament të vogël në periferi dhe morën me qira një kamionçinë të mbuluar “Iveco”, e cila pa dijeninë e grupit ishte e pajisur me një monitorues GPS, që ndihmoi hetimet e policisë. Sipas autoriteve suedeze, kamioni “Iveco” u përdor për të transportuar drogën nga kontejneri me banane në port drejt shtëpisë së Zykës në Malmo.
Por Mohammed Abdi-Weli dhe Elias Hadibi shfaqën shenja paniku. Pas një periudhë nën arrest, Mohammed pranon përfshirjen dhe jep një gjysmë rrëfim.
Ai megjithatë këmbëngul se nuk e dinte se ku po futej dhe se kishte pranuar punën për shkak të një detyrimi financiar dhe se ishte kreditori ai që e kishte shtyrë të bëhej pjesë, por nuk e identifikoi atë. Në dëshmi ai thotë se ishte i frikësuar gjithë kohës dhe u trembën kur shqiptarët nuk po u kthenin makinën “Iveco”, që ishte marrë me qira prej tyre.
Shkëmbimi i kokainës

Aksioni për nxjerrjen e kokainës nga porti nisi mëngjesin e 13 majit 2025, i koordinuar mes shqiptarëve që u nisën nga një hotel pranë aeroportit të Malmos, norvegjezët nga apartamenti i tyre me qira si dhe bjellorusi Ilia Kirylau, i nisur gjithashtu me kamionin e tij drejt portit të Helsingborgut. Policia suedeze e rindërtoi skenën e ngjarjes përmes të dhënave të mbledhura nga GPS-ët e makinave, qelizat celulare si dhe kamerat e sigurisë në rrugë dhe në vendet e frekuentuara prej personave të implikuar.
Rreth mesditës, Kirylau ndaloi në rrugë për të marrë si pasagjer njërin prej shqiptarëve, i identifikuar në dosje si Klisman Hoxha. Në dëshminë pas arrestimit, Kirylau pretendoi se personi kishte bërë autostop.
Pasi bjellorusi siguroi kontejnerin dhe doli nga porti, të dhënat nga qelizat celulare tregojnë Çepelen pranë portit në lëvizje, që duket se udhëheq kamionin. Hoxha nga ana tjetër duket se ka zbritur nga kamioni dhe nuk del më në kamerat e sigurisë që ndjekin këtë të fundit.
Thuajse 37 minuta pas daljes nga porti, grupet bashkohen në një sheshpushim në Landskrona – një qytezë thuajse e barazlarguar mes Helsinborgut dhe Malmos.
I pari mbërrin Çepele, i cili bën disa rrotullime rreth vendit. Më pas parkohen njëri pas tjetrit kamioni i bjellorusit me kontejnerin, kamionçona “Iveco” e norvegjezëve dhe makina e markës “Toyota Auris” e drejtuar nga Çepele.
Pesë minuta pasi kanë ndaluar në sheshpushim, kamerat fiksojnë se si dyert e kontejnerit hapen, veshja plastike shqyhet dhe personat e përfshirë lëvizin kokainën nga një makinë në tjetrën. I gjithë operacioni i ngarkim- shkarkimit zgjat vetëm pesë minuta, nga ora 16:30 në 16:35.
Menjëherë pas kësaj, “Iveco” largohet nga sheshpushimi, por kontrollin e saj tani e kanë shqiptarët. Norvegjezët largohen menjëherë pas tyre me Toyota Auris dhe të dy palët ndalojnë rreth një orë e 30 minuta më vonë, në një sheshpushim të ri.
Mbrëmjen e 13 majit, mes orës 7 dhe 8, kamioni “Iveco” me kokainën mbërrin në adresën “Farborets väg 3” dhe droga shkarkohet në shtëpinë e Zykës.
Norvegjezët nga ana tjetër ndalohen nga policia rreth orës 19:30 të mbrëmjes dhe mbahen në qeli për kontroll deri pasditen e të nesërmes. Në dosje, arrestimi përshkruhet si një lëvizje operacionale për të ndikuar te veprimet e palëve të tjera të përfshira.
Shqiptarët ndërkohë filmohen teksa lëvizin lirshëm.
Mbrëmjen e 13 majit, kamioni “Iveco” u vëzhgua teksa qëndronte i parkuar jashtë aeroportit të Malmos, pranë hotelit ku qëndronin Çepele dhe Hyskaj, ndërkohë që Klisman Hoxha dyshohet se qëndroi në apartamentin e Zykës.
Lëvizjet rifillojnë menjëherë në mëngjesin e 14 majit. Fillimisht Kirylau bashkë me kamionin tenton të largohet nga Suedia, por arrestohet në mbrëmje, ndërsa tentoi të merrte një traget. Në kontejner tani nuk ka gjurmë të drogës, por vetëm një boshllëk që tregon se një sasi e madhe “bananesh” janë zhdukur.
Në datat 14, 15 dhe 16 maj, shqiptarët qarkullojnë në rrugë përreth adresës ku ndodhet droga dhe përdorin “Ivecon” dhe më pas një makinë tjetër të marrë me qira. Më 16 maj në mbrëmje, Çepele dhe një i ri tjetër shqiptar, të cilit policia nuk i jep rol në ngjarje, fluturojnë për në Tiranë, duke lënë pas vetëm Hoxhën dhe Hyskajn. Kamerat e sigurisë e kanë filmuar atë të buzëqeshur dhe të qetë.
Më 17 maj, policia nuk fikson lëvizje të palëve. Por pasdite, në rrugën “Farborets väg 3” shfaqet një Volkswagen Passat të zi, i cili sjell në vendngjarje një organizatë rivale.
Grabitja e kokainës

Banorët e rrugës “Farborets väg 3” panë lëvizje të dyshimta makinash pasditen e 17 majit, por goditja ndodhi vetëm pak pas mesnatës. Sipas dëshmive, grabitësit mbërritën në apartamentin e Zykës me forca të shumta, duke e sulmuar atë nga hyrja kryesore dhe nga ballkoni.
Dëshmitarët treguan se fillimisht në oborr mbërritën me shpejtësi dy motorë me ngjyrë të errët dhe një makinë kompakte, e zezë, e tipit Volkswagen. Kjo më vonë u lidh me Mostapha Ayoub, një person që sipas fashikullit ishte ndaluar edhe më herët për krime të lidhura me drogën.
Dëshmitarët identifikuan po ashtu makina të tjera që ndaluan në rrugë apo i ranë rrotull disa herë banesës, mes të cilave një BMW dhe një Tesla. Zhurmat e para që u dëgjuan dhe thyen qetësinë e natës ishin ato të xhamave të apartamentit.
Fqinja ukrainase, e cila jetonte ngjitur me Zykën, dëgjoi zhurmën rreth orës 00:00. Ajo dëshmon në polici se: “U dëgjua si nga drejtimi i kafazit të shkallëve. Tingëllonte si një xham që ra në tokë dhe u thye.” Katër minuta më vonë u dëgjua një tjetër zhurmë identike dhe studentja ukrainase dëgjoi zëra burrash që vinin nga rruga.
Brenda apartamentit me gjasë është zhvilluar një përplasje. Gjurmë gjaku u gjetën në ndërresat e përdorura për të fjetur, në divanin e dhomës së pritjes dhe në perde. Por nuk duket se pati të lënduar rëndë apo viktima.
Dëshmitarët panë se si grupi i sulmuesve ngarkoi me shpejtësi drogë në makinat që prisnin. Nga nxitimi, pakot binin rrugës dhe disa prej tyre mbetën të hallakatura në rrugë apo në zonën përreth. Kjo zgjati rreth 33 minuta, derisa në skenë mbërriti policia e lajmëruar nga fqinjët.
Sipas hetuesve suedezë, grabitja u organizua nga një person i paidentifikuar, i njohur nga autoritetet me pseudonimin “Angel of Death” – Ëngjëlli i Vdekjes – dhe u zbatua nga persona me kombësi daneze, suedeze dhe bosnjake.
Shumica e personave të përfshirë u arratisën, por policia kapi në një makinë pranë ngjarjes tre kushërinj me shtetësi daneze; Ahmad Junes, Ahmad Salem dhe Ahmed Jehad. Të tre e mohuan përfshirjen në ngjarje.
Hetimet e mëvonshme zbuluan përfshirjen e Mostapha Ayoub dhe Ferid Musinovic, pasi hetuesit danezë ndoqën gjurmët e pakove me logon e Manchester City në Stokholm dhe në qytete të tjera të Suedisë. Policia gjeti gjurmë ADN-je të Ayoub në pakot e kapura dhe i gjeti Musinovicit imazhe të drogës në mesazhet në Signal. Hetuesit thonë se ai po përpiqej ta shiste atë.
Në mesazhet e gjetura nga policia suedeze, të shkëmbyera mes Musinovic dhe “Ëngjëllit të Vdekjes”, shprehet keqardhje për grabitjen e mangët. Në një mesazh të mëvonshëm flitet për një tjetër grabitje. “Këtë herë shpresoj ta marrësh të gjithën”, shkruan “Engjëlli i Vdekjes”. “Inshallah”, përgjigjet Musinovic, që përdor pseudonimin Floki.
Arratisja e shqiptarëve
Sipas dosjes gjyqësore të autoriteteve suedeze, të tre shqiptarët e dyshuar u larguan nga Malmo njëri pas tjetrit; Antonio Çepele drejt Shqipërisë, ndërsa Klisman Hoxha dhe Toni Hyskaj drejt Amsterdamit. I vetmi që po përballet me drejtësinë është Murat Zyka, i cili u arrestua mbrëmjen e 18 majit 2025.
Nga kontrolli i banesës së tij pas grabitjes, policia zbuloi sende personale të lëna pas nga nxitimi, përfshirë një telefon celular, “atletet e bardha” të Hoxhës dhe një çantë shpine në ngjyrë gri të errët, e filmuar në krahët e Hyskajt gjatë vëzhgimeve të policisë.
Verifikimet e mëtejshme zbuluan foto dhe video të Hyskajt dhe Hoxhës në aeroportin e Malmos më 19 maj, ditën që të dy fluturuan drejt Amsterdamit.
Pozita aktuale ligjore e tre personave të dyshuar në Suedi është e paqartë, por autoritetet suedeze theksojnë në dosje se kanë kërkuar ndihmë në Shqipëri për hetimin e tyre. Madje, në dosje përfshihen të dhënat nga qelizat celulare të dy telefonave në Shqipëri, të cilat dokumentojnë lëvizje të të dyshuarve në zonat e Roskovecit, Fierit dhe Vlorës.
Çepele, Hoxha dhe Hyskaj ishin të paarritshëm nga BIRN. Komunikimet me policinë e Fierit, Prokurorinë e Posaçme dhe Interpolin nuk hodhën dritë mbi ndonjë hetim të mundshëm të ndërmarrë ndaj tyre në Shqipëri, pasi institucionet thanë se nuk ishin në dijeni të rastit.
Edhe Prokuroria e Fierit i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se “nga të dhënat në regjistrat elektronikë nuk rezulton të jetë regjistruar çështje penale për këta shtetas në vitet 2025-2026”.
I mbetur në Suedi, edhe Murat Zyka u përpoq fillimisht t’i shpëtonte policisë, ndërsa hodhi telefonin e tij dhe të bashkëshortes në det. Pas arrestimit, ai u detyrua në dukje të bashkëpunonte.
Zyka u tha autoriteteve suedeze se ishte përfshirë në ngjarje nga telefonata e një të njohurit të tij shqiptar me qëndrim të mëparshëm në Suedi, i cili i kishte kërkuar që të siguronte një vend të sigurt për një makinë në këmbim të një pagese. Zyka thotë se kur i dërgoi personat me “Iveco” në vendin që kishte zgjedhur, ata refuzuan të qëndronin aty.
“Bosi tha se makina nuk mund të qëndrojë jashtë,” dëshmoi ai.
Zyka deklaroi gjithashtu se ishte ndjerë i detyruar që ta përdorte shtëpinë e tij si magazinë.
“Mendova vetëm për jetën time dhe të fëmijëve. Isha i terrorizuar, por siç thashë gjithë kohës mendova t’ju telefonoj,” i tha ai policisë. “Pastaj mendoja: ja do i telefonoj, por ata do të më gjejnë dhe do të më vrasin”.









































