Vedat Muriqi vbijon shkëlqimin me Majorkën dhe po thyen madje edhe rekorde. Në Gjermani, Fisnik Asllani, por edhe Leon Avdullahu e Albian Hajdari, vazhdojnë të shkëlqejnë. Dhe në prag të ndeshjes më të rëndësishme të Kosovës deri më tani, atë ndaj Sllovakisë, “Dardanët” kanë shumë e shumë arsye për optimizëm. Kosova më 26 mars, pra edhe 18 ditë, luan në Bratislavë ndaj Sllovakisë, në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Kupën e Botës. Sa afrohet ndeshja, forma e dy sulmuesve kryesorë të Kosovës bëhet edhe më e mirë. 31-vjeçari Muriqi kishte tjetër paraqitje impresive të shtunën.
Shënoi dy golat e Mallorcas në barazimin 2:2 në fushën e vështirë të Osasunas. Në fund golat e prizrenasit kishin vlerën e një pike, por Muriqi vazhdon të mos falë në zonë. Dhe mprehtësia e tij do të jetë shumë e rëndësishme për Franco Fodan në ndeshjen në Bratislavë. Muriqi u shpall lojtar i ndeshjes. Këtë edicion i ka plot 18 gola në 26 paraqitje në La Liga. Tashmë është bindshëm edicioni i tij më i mirë në Spanjë, por edhe në gjithë karrierën. Kaq shumë gola në një edicion nuk ka shënuar as në Kosovë te Liria, as në Shqipëri te Teuta e Durrësit dhe Besa e Kavajës, as në Turqi te Giresunspori, Gençlerbirligi, Rizespori e Fenerbahçe dhe as në Itali te Lacio. Te Giresunspori në kategorinë e dytë turke dhe te Rizespori në Superligën turke i kishte nga 17 gola në edicion. Natyrisht goli në La Liga ka vlerë shumë më të madhe se goli në Turqi.
Majorka e vazhdon garën për të mbetur në elitën spanjolle dhe është plotësisht e varur nga Muriqi. Edhe sulmi i Kosovës nuk mendohet pa Muriqin. “Kemi filluar mirë të dy pjesët e ndeshjes, me epërsi golash. Por më pas rivalët shënuan dy gola për pesë minuta. Është pikë e rëndësishme, megjithatë është e vështirë të fitohet në ‘El Sadar’. Kemi mundur të fitojmë tri pikët, marrë për bazë si shkoi ndeshja, por jemi të lumtur me rezultatin”, ka thënë Muriqi, i njohur si “Pirati” i Mallorcas.







































