Dje u luajtën ndeshjet e kthimit çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, të cilat dhuruan emocione të forta por edhe rezultate surprizë, por që përcaktuan përfundimisht ekipet gjysmëfinaliste që vazhdojnë rrugën drejt trofeut të dytë më të rëndësishëm të fubollit në vend.
Elbasani eliminon me një penallti “fantazmë” Partizanin
Partizani është eliminuar në çerekfinale nga Kupa e Shqipërisë, ndërsa ishte Elbasani që fitoi 1-3 te stadiumi “Arena e Demave”. Verdheblutë u nderuan nga një penallti e kontestuar në minutën e 119-të, që u kthye në gol nga Ze Gomesh. Koha e rregullt u fitua nga ekipi i Gvozdenoviç me rezultatin 1-2, duke barazuar shifrat nga ndeshja e parë. Kështu çdo gjë shkoi me shtesë, pasi të kuqtë fitonin 0 me 1 ndeshjen e parë në Elbasan. Koha shtesë dhuroi emocione, ndërsa protagonist ishte gjyqtari Hamiti. Penalltia e akorduar në minutën e 115-të vendosi fatin e takimit. Elbasani ndërkohë do të mësojë kundërshtarin në gjysmëfinale përmes një shorti.
Dinamo “eksperte” në Kupë, eliminon Tiranën
Kryendeshja e çerekfinaleve, derbi Dinamo-Tirana, prodhoi fitues “nëndetësen dinamovite” e cila shkon më tej, kurse Tirana vetëm sa thellon krizën e saj. Kështu, Dinamo e Ilir Dajës ka mposhtur me lehtësi Tiranën në Kupën e Shqipërisë. Çerekfinalja e dytë u fitua me të njëjtin rezultat si e para, pikërisht 2-0. Ndeshja e luajtur në “Air Albania” nuk pati histori, pasi Tirana e Orges Shehit nuk e vendosi në rrezik Dinamon. Neziri dhe Guindo shënuan për blutë. Tashmë Tirana është e fokusuar në kampionat, pasi humbi mundësinë për Europën përmes Kupës. Dinamo ndërkohë pret shortin për fazën gjysmëfinale.
Egnatia fiton mes tensionit përballë Teutës, shans për të fituar të dy trofetë
Egnatia ka një shans të fitojë të dy triofetë këtë sezon, pasi, krahas pozitave të mira në kampionat, dje siguroi biletën për në gjysmëfinale. Rrogozhinasit kishin triumfuar 2-1 në Durrës në duelin e parë dhe vinin në sfidën e dytë me idenë për të mbrojtur këtë avantazh. Kjo bëri që ndeshja të ishte jo edhe aq e bukur për t’u parë, me raste me pikatore dhe me shumë përplasje e tension që sillnin ndalesa të vazhdueshme. Ndaj në fund shifrat 0-0 ishin imazhi më i qartë i asaj që dhuruan dy skuadrat në fushë, por me rrogozhinasit të cilëve u mjaftoi për të festuar kalimin në turin tjetër.
Vllaznia kalon Bylisin dhe shton “oreksin” për trofetë e sezonit
Vllaznia e siguroi praninë mes katër skuadrave më të mira në Kupën e Shqipërisë, pasi ka mundur Bylisin edhe në ndeshjen e dytë të vlefshme për çerekfinalet e turneut, që u luajt në “Loro Boriçi”. Pas suksesit 1-0 në ndeshjen e parë në transfertë, shkodranët vinin të qetë në këtë ndeshje kthimi dhe trajneri Martinin bëri rotacion të gjerë, duke ulur shumë titullarë në stol. Ekipi gjithsesi bëri detyrën në fushën e lojës, duke mbyllur pjesën e parë në avantazh 2-1 dhe duke administruar mirë fraksionin e dytë, teksa provoi deri në fund të gjente një tjetër gol që nuk erdhi. Kështu, Vllaznia e sheh veten në garë edhe për trofeun e dytë për nga rëndësia në vendin tonë, ndërsa Bylisit i duhet të fokusohet të kampionati dhe lufta për mbijetesë.





































