Ndërsa raketat amerikane dhe izraelite vijojnë të godasin bazat e Gardws Revolucionare tw Iranit dhe milicisë Basij, një qetësi e pazakontë mbizotëron në kampet e ushtrisë së rregullt iraniane, e njohur si Artesh. Analistët e sigurisë e interpretojnë këtë si pjesë të një strategjie të qëllimshme të Uashingtonit për një “kolaps të kontrolluar” të strukturës së pushtetit në Teheran.
Sipas vlerësimeve, sulmet nuk janë të rastësishme, por ndjekin një logjikë të qartë ndarjeje: në shënjestër janë “pretorianët” e regjimit teokratik – IRGC dhe Basij – ndërsa ushtria e rregullt është lënë pothuajse jashtë goditjeve direkte. Qëllimi i mundshëm është dobësimi i shtyllave ideologjike dhe represive të regjimit, duke shmangur një përplasje të drejtpërdrejtë me strukturën tradicionale ushtarake të vendit.
Për të kuptuar këtë qasje, ekspertët kthehen te Revolucioni Islamik i Iranit. Pas rrëzimit të Shahut, Ruhollah Khomeini krijoi Gardën Revolucionare si një forcë paralele ndaj Artesh-it, nga frika se ushtria e trajnuar nga Perëndimi mund të organizonte grusht shteti. Kjo “strukturë e dyfishtë” institucionalizoi rivalitetin mes dy forcave.
Sipas Kushtetutës së Republikës Islamike, ushtria është përgjegjëse për mbrojtjen e integritetit territorial, ndërsa IRGC ka për mision ruajtjen e Revolucionit dhe arritjeve të tij. Me kalimin e viteve, Garda Revolucionare u shndërrua në një “shtet brenda shtetit”, duke kontrolluar programin e raketave, operacionet jashtë vendit dhe sektorë kyç të ekonomisë.
Sot, kjo ndarje historike shihet si “thembrë e Akilit” e regjimit – një dobësi që SHBA dhe Izraeli duket se po përpiqen ta shfrytëzojnë.
Tre shtyllat në shënjestër
Sulmet e fundit janë përqendruar në tre objektiva kryesore:
Garda Revolucionare (IRGC) – Me rreth 190 mijë trupa aktive, ajo kontrollon arsenalin e dronëve dhe raketave të Iranit si dhe rrjetin e aleatëve rajonalë, përfshirë Hezbollah. Goditjet kanë synuar bazat detare, komandën dhe burimet financiare të saj, me synimin për të paralizuar aftësinë operacionale dhe mbështetjen për grupet përfaqësuese.
Basij – Milicia paramilitare me rreth 600 mijë anëtarë të gatshëm për mobilizim, konsiderohet krahu kryesor i represionit të brendshëm. E themeluar në vitin 1979 nga Khomeini, ajo ka luajtur rol kyç në shtypjen e protestave dhe në mobilizimet gjatë luftës Iran-Irak.
Strukturat e sigurisë dhe policore – të cilat mbështesin kontrollin e brendshëm dhe stabilitetin e regjimit.
Në kontrast, Artesh nuk është përfshirë drejtpërdrejt në përballje madhore, çka ka nxitur spekulime se Uashingtoni mund të shpresojë në një “distancim” të saj nga regjimi i Ajatollahut në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm.






































