Google search engine
Home Sport Partizani e Dinamo shqyrtojnë kalendarin e ndeshjeve në vijim, “demat e kuq”...

Partizani e Dinamo shqyrtojnë kalendarin e ndeshjeve në vijim, “demat e kuq” kanë avantazhe për “Final Four”

0
24

Dinamo dhe Partizani kanë ambicie të kualifikohen në fund të kampionatit në “Final Four”, format që siguron nj shans për titullin. Natyrisht, ecuria e Dinamos në fillim ishte më e mirë, por zhgënjimet e javëve të fundit kanë sjellë afrimin e Partizanit, që e ka barazuar me pikë dhe tani të kuqtë duan të “saldojnë” pozitat e tyre në top-4 të renditjes. Po si qëndron kalendari në vijim për të dy ekipet?

Nga programi i parashikuar për javët e mbetura të Superiores, vërejmë se Dinamo ka 5 transferta, gjë që e bën më të vështirë për blutë në këtë pjesë të sezonit për shkak të presionit dhe faktorëve të fushës së kundërshtarit. Partizani, nga ana tjetër, ka 4 transferta të mirëfillta, pa llogaritur këtu ndeshjen me Dinamon dhe derbin e fazës së katërt ndaj Tiranës në “Air Albania”.

Të kuqtë do të zhvillojnë 5 ndeshje në shtëpinë e tyre, “Arena e Demave”, gjë që u jep një avantazh të lehtë, nisur këtu edhe nga mbështetja e tifozerisë së tyre. Dinamo e nis me transfertë këtë javë ndaj Vorës dhe më pas përballet me Partizanin në “Air Albania”, një duel që përveç rëndësisë së pikëve ka peshë të madhe edhe për renditjen direkte mes tyre. Pas kësaj, kalendari i Dinamos përfshin transferta delikate ndaj Vllaznisë dhe Flamurtarit, dy skuadra që zakonisht paraqesin vështirësi në fushat e tyre, sidomos nisur edhe nga objektivat që kanë shkodranët për titullin dhe vlonjatët për mbijetesë. Megjithatë, Dinamo ka edhe disa ndeshje në “Air Albania”, ku përballjet me Teutën dhe Tiranën mund të jenë mundësi për të marrë pikë të rëndësishme, duke njohur më pas edhe diferencat teknike mes skuadrave. Po ashtu, në shtëpi në fazën e katërt, Dinamo do të ketë edhe Egnatian dhe Vorën, ndërsa në fund të fazës së katërt, Dinamo do të luajë edhe në “Arenën e Demave”, një sfidë që ndoshta mund të jetë edhe përcaktuese për vendin e katërt.

Dueli i radhës për demat ndaj Egnatias

Partizani i nis këto 11 ndeshje të mbetura me Egnatian në shtëpi, një ndeshje me rëndësi jo vetëm për pikët, por edhe për bilancin sezonal ndaj rivalëve direkt, me të kuqtë që ende nuk kanë fituar ndaj rrogozhinasve në këtë sezon, duke barazuar një dhe humbur një tjetër sfidë. Më pas vjen derbi ndaj Dinamos në “Air Albania”, që përveç rivalitetit që sjell derbi, është ndër të tjera një duel kyç për garën për vendet e larta. Transferta ndaj Teutës dhe ajo në fushën e Egnatias konsiderohen ndër më të vështirat për Partizanin, pasi përballen me skuadra që kërkojnë objektiva të rëndësishme. Po ashtu, transfertat drejt Vorës dhe Elbasanit shtojnë vështirësinë e kalendarit dhe e bëjnë çdo ndeshje të përjetohet si një finale për të kuqtë.

Nga ana tjetër, Partizani pret në Tiranë skuadra si Vllaznia, Bylis dhe Flamurtari, takime që mund t’i japin mundësi për grumbullim pikësh nëse shfrytëzohet avantazhi i fushës. Të dyja skuadrat, si Partizani dhe Dinamo, kanë duele direkte mes tyre, që mund të vendosin shumë për renditjen dhe për objektivat e sezonit. Madje, për pozitat në top-4, duelet direkte mund të jenë vendimtare për të dyja skuadrat, ndaj dhe ato do të kërkojnë të maksimizojnë pikët nga ndeshjet e radhës në superiore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here