Mediat izraelite raportojnë se lideri suprem Khamenei mund të jetë vrarë, pasi janë humbur të gjitha kontaktet me të.
Ndër objektivat e goditura të shtunën në mëngjes ishte pallati i Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, në Teheran, i cili u shkatërrua plotësisht, si dhe dhjetëra objektiva të tjera ushtarake dhe të regjimit në të gjithë vendin.
Khamenei, Presidenti Masoud Pezeshkian dhe komandantët e lartë të regjimit dhe ushtrisë u vunë në shënjestër, sipas një zyrtari izraelit, megjithëse rezultatet e sulmeve ishin të paqarta.
Ndërkohë ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, mohoi një raport të Kanalit 12 izraelit që pretendonte se udhëheqësi suprem i Iranit “ndoshta është vrarë” në sulmet ajrore izraelite, duke theksuar se Ajatollah Ali Khamenei është “ende gjallë për aq sa di unë”.
Më parë, Aragchi tha se aktualisht nuk ka negociata prapa skenave që synojnë t’i japin fund luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. “Nëse amerikanët duan të flasin me ne, ata dinë si të më kontaktojnë “, tha ai.
Ai deklaroi gjithashtu se “mund të kemi humbur disa komandantë, por ky nuk është një problem aq i madh. Të gjithë zyrtarët e lartë janë gjallë dhe ne po e trajtojmë situatën, dhe gjithçka është në rregull”.









































