Vedat Muriqi është “pirat”, ai është lojtari më i rëndësishëm i Majorkës, të paktën statistikat e konfirmojnë këtë. “Në të gjithë Evropën ai është lojtari në të cilin mbështetet ekipi më së shumti kur çështja është për shënimin e golave”. Kështu e nis shkrimin e gjatë mediumi i njohur spanjoll “Marca” për sulmuesin e Kosovës, Vedat Muriqi, të cilin e paraqet si njërin prej sulmuesve më të mirë në botë. Megjithatë, Majorka është në garë për mbijetesë, teksa të enjten ka bërë ndryshim edhe në udhëheqje të ekipit. Vendin e Jagoba Arrasates, që vite më parë e udhëhoqi Majorkën drejt finales së Kupës së Mbretit, e ka zënë argjentinasi Martin Demikelis.
Demikelis më herët ka luajtur tek Atletiko Madridi, Malaga e Espanjoli në Spanjë, Bajern Munihu në Gjermani e Mançester Siti në Angli. Me River Platen e nisi karrierën në Argjentinë. Detyra e parë e Demikelisit, sipas “Markas”, është që të vazhdojë mbështetjen e ekipit te Muriqi shtatlartë. “Si 31-vjeçar, sulmuesi kosovar i ka shifrat e përafërta me sulmuesit më të mirë në botë. 16 golat e shënuara nga ai, e vendosin në vendin e pestë në listë, në garën për ‘këpucën e artë’ në Evropë këtë sezon. Ai është vetëm prapa Herri Kejn me 28 gola, Kilian Mbapes me 23 gola, Erling Halandit me 22 gola dhe Igor Thiagos me 17 gola”, ka shkruar “Marca”. Problem për Majorkën është kur Muriqi nuk shënon. Te Majorka, golashënuesi i dytë më i mirë është Samu Kosta me katër gola. “Asnjë ekip në Evropë nuk varet më shumë në golat e një lojtari sa Majorka në Muriqin, i cili i ka shënuar 55 për qind të golave në këtë sezon për skuadrën e tij në La Liga. Edhe më i fuqishëm është fakti se Majorka ka arritur të shënojë vetëm një fitore në 10 ndeshje në të cilat Muriqi nuk ka realizuar gol”, shkruan më tej “Marca”.
Jashari elozhe për trajnerin Alegri
Mesfushori i Milanit, Ardon Jashari, ka lënë pas problemet fizike dhe është gati të japë maksimumin për skuadrën kuqezi. Në një prononcim për “SportMediaset”, ai theksoi se ndihet plotësisht i rikuperuar dhe i motivuar për të pasur sa më shumë minuta në fushë. “Tani ndihem 100% dhe po punoj çdo ditë për të luajtur më tepër, në mënyrë që ta ndihmoj ekipin t’i fitojë ndeshjet”, u shpreh mesfushori, duke konfirmuar se forma e tij është në rritje. Duke folur për eksperiencën te Milani, Jashari nuk e fshehu emocionin: “Ky klub ka një peshë të jashtëzakonshme për mua. Kur mora vesh për mundësinë e transferimit në Milano, ishte si një ëndërr e bërë realitet. Pas bisedimeve të gjata, arrita te një klub magjik. Çdo stërvitje dhe çdo ndeshje këtu është speciale. Jap maksimumin tim dhe shpresoj që tifozët të ndihen krenarë”. Objektivi i sezonit është i qartë: rikthimi në Champions League. “Të luash në Champions do të thotë të përjetosh net të paharrueshme. Është synimi ynë kryesor dhe duhet ta arrijmë së bashku”, theksoi ai. Fjalë vlerësuese pati edhe për trajnerin Masimiliano Alegrin: “Për eksperiencën dhe trofetë që ka fituar, duhet vetëm ta dëgjosh. Ai e njeh në detaje futbollin italian dhe di çfarë duhet për të triumfuar”. Në fund, Jashari përmendi edhe dy nga idhujt e tij në Serie A: Andrea Pirlo dhe Roberto Baggio, duke theksuar veçanërisht stilin dhe elegancën e Pirlos si frymëzim në lojën e tij.









































