Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë për herë të parë shërbime konsullore në terren në dy vendbanime izraelite në Bregu Perëndimor.
Në një postim në platformën X, ambasada amerikane në Jerusalem njoftoi se, në kuadër të 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së, do të ofrojë shërbime rutinë pasaportash për qytetarët amerikanë në vendbanimin Efrat, rreth 12 kilometra në jug të Jerusalemit, “vetëm për një ditë”. Në muajt e ardhshëm, shërbime të ngjashme do të ofrohen edhe në Beitar Illit, si dhe në qytetin palestinez Ramallah dhe tre qytete brenda Izraelit.
Komiteti i Autoritetit Palestinez për Kolonizim dhe Rezistencë ndaj Murit e dënoi iniciativën si “favorizim të hapur për autoritetet pushtuese”. Kreu i komitetit, Muayad Shaaban, tha se ky hap “konsolidon një realitet që minon mundësinë e krijimit të një shteti palestinez të pavarur dhe sovran”.
Edhe Hamas e quajti vendimin një “precedent të rrezikshëm” dhe një “njohje de facto të legjitimitetit të vendbanimeve”.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, e përshëndeti vendimin, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për zgjerimin e shërbimeve konsullore amerikane në atë që ai e quajti “Jude dhe Samari”, term biblik për Bregun Perëndimor.









































