Adriatik BALLA
Tirana i dha fund dje bashkëpunimit me trajnerin kosovar Ardian Nuhiu, duke mos e vazhduar më tej kontratën me të. Klubi e dha njoftimin e ndërprerjes së kontratës nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, ndërkohë që nuk shpjegohen arsyet e një lëvizjeje që ndodh menjëherë pas humbjes me Teutën të dielën. Natyrisht, pozitat e Tiranës në renditje në vend të parafundit janë jo të mira, por këto pozita skuadra i kishte dhe më parë, ndaj humbja me Teutën shihet si një moment krisje mes klubit dhe trajnerit. Menjëherë pas largimit të Nuhiut, ndodhi zyrtarizimi i Orges Shehit si trajner i ri.
Njoftimi i klubit për largimin e Nuhiut dhe ardhjen e Shehit
“Klubi i Futbollit Tirana njofton se bashkëpunimi me trajnerin Ardian Nuhiu është ndërprerë në mënyrë konsensuale. KF Tirana shpreh falënderimet më të sinqerta për trajnerin Ardian Nuhiu për kontributin, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë drejtimit të skuadrës sonë. Gjatë bashkëpunimit, ai ka dhënë maksimumin për ngjyrat bardheblu, duke punuar me pasion, korrektësi dhe respekt për klubin dhe tifozët tanë. I urojmë suksese në karrierën e tij profesionale”, shkruan klubi i Tiranës në një postim që bëri në faqen zyrtare në rrjetin social “facebook”.
Dy orë më vonë klubi bëri një tjetër postim. “Klubi i Futbollit Tirana njofton rikthimin e Orges Shehit në krye të pankinës bardheblu. Trajneri që na udhëhoqi drejt një titulli kampion dhe trofeve të tjerë kombëtarë rikthehet për të drejtuar skuadrën deri në fund të këtij sezoni, me të njëjtin pasion, ambicie dhe mentalitet fitues. Historia jonë e përbashkët flet vetë: Titulli kampion; Superkupa e Shqipërisë; Një identitet i fortë bardheblu. Suksese në këtë kapitull të ri, Shehi!”, shkruante Tirana dje në mbrëmje.
Egnatia synon të thyejë Partizanin e të parakalojë Vllazninë
Në javën e 26-të, Egnatia do të përballet me Partizanin, një kundërshtar që vjen pas një serie pozitive dhe në rritje të ndjeshme forme. Skuadra e kuqe ka grumbulluar rezultate të rëndësishme dhe është afruar në zonën e sipërme të renditjes, duke u shndërruar në rival direkt. Sfida ka peshë të dyfishtë për kampionët. Nga njëra anë, është mundësia për të mbajtur ritmin në ndjekje të Vllaznisë dhe për të vijuar presionin ndaj kryesueses. Nga ana tjetër, është rasti për të ndalur një kundërshtar që po fiton terren dhe që synon të përfshihet seriozisht në garën për kreun. Pikërisht në këtë përballje do të kuptohet nëse Egnatia është vërtet gati të nisë një cikël fitoresh.
Një sukses ndaj Partizanit do të konfirmonte se fitorja ndaj Dinamos nuk ishte thjesht një reagim i momentit, por fillimi i një ecurie të qëndrueshme. Në të kundërt, çdo hap fals do të rihapte pikëpyetje mbi aftësinë për të menaxhuar presionin në një fazë vendimtare të sezonit. Partizani paraqet një test real, si në aspektin teknik ashtu edhe në atë psikologjik. Për Egnatian, kjo është mundësia për të treguar se kampionët janë gati të rimarrin kontrollin e garës dhe ta kthejnë synimin për kreun në objektiv konkret. Sfida mes Partizanit dhe Egnatias, do të zhvillohet ditën e shtunë në “Arena e Demave”, ora 16:30.









































