Adriatik BALLA
Vetëm 30 ditë na ndajnë nga dueli që Shqipëria do të luajë në “play-off”-in e Botërorit përballë Polonisë. Trajneri Silvinjo dhe lojtarët po përpiqen të jenë sa më të përgatitur pork jo do të varet shumë nga forma që do të gëzojnë lojtarët, të cilët duhet të tregojnë vlerat e tyre më të mira. Po si është ecuria e kuqezinjve? Fundjava që lamë pas solli paraqitje shumë pozitive për futbollistët shqiptarë që aktivizohen jashtë vendit, me disa prej tyre që u bënë protagonistë direkt në rezultatet e skuadrave respektive falë golave dhe asisteve.
Në MLS, Myrto Uzuni e nisi sezonin me gol me Austin FC, duke shënuar në minutën e 76 në sfidën ndaj Minnesota United dhe duke i dhënë skuadrës së tij avantazhin e përkohshëm 2-1. Gol realizoi edhe Anis Mehmeti, i cili gjeti rrjetën për herë të parë me fanellën e Ipsëich. Sulmuesi shënoi në minutën e 20 në transfertë ndaj Vrexham. Në Belgjikë, Arbnor Muja vulosi fitoren 4-1 të St. Truiden në transfertë ndaj Dender, me një gol në minutën e 87 pas një goditjeje nga distanca. Kontribut me asiste dhanë disa kuqezinj të tjerë.
Kristjan Asllani shërbeu për golin e dytë në suksesin 4-0 ndaj Goztepe. Qazim Laçi asistoi në golin e dytë në fitoren 2-0 ndaj Kocaelispor, ndërsa Nedim Bajrami dha asist për golin e parë të Rangers në barazimin 2-2 ndaj Livingston. Formën e mirë po e konfirmon edhe Ernest Muçi, i cili regjistroi një tjetër asist, këtë herë në golin e parë në fitoren 2-1 në transfertë ndaj Gaziantep. Titullarë me ekipet e tyre këtë javë ishin edhe Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Arlind Ajeti, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Arbër Hoxha, Jasir Asani, Taulant Seferi dhe Rey Manaj, ndërsa nga stoli u aktivizuan Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli dhe Adrion Pajaziti.
Ua vinin fajin shqiptarëve, por Torino zbulon trajnerin si shkaktar të dobësisë
Ndërkohë që kuqezinjtë përpiqen të jenë në top-formë, duket se një klub Italian ka gabuar rëndë me shqiptarët që i bëri fajtorë për shkak të rezultateve të dobëta. Klubi i Torinos ka vendosur sot të ndajë rrugët me trajnerin Marko Baroni, pasi skuadra e cila në teori ishte projektuar të luftonte për kualifikimin në Europë, po rrëshqet pak nga pak në renditje dhe tani është e rrezikuar me rënien nga kategoria. Klubi në të cilin në fillim të sezonit u transferuan Ardian Ismajli dhe Kristjan Asllani, kombinoi rezultate pozitive me zhgënjyese në pjesën e parë të edicionit, por duke qëndruar në mesin e tabelës.
Rezultate për të cilat shpesh barrën e mbajti Kristjan Asllani, i cili u etiketua i “papërshtatshëm” me skemat e trajnerit. Ky i fundit e nxori jashtë planeve të tij, duke sjellë largimin në janar të mesfushorit drejt Beshiktashit pasi kaloi disa ndeshje si spektator. Por ndryshimi nuk është se solli gjë të re te Torino, që vazhdoi të regjistronte rezultate zhgënjyese dhe me humbjen përballë Xhenoas, të shtatën në 10 ndeshjet e fundit, e sheh veten ngjitur me zonën e rënies. Kësisoj, klubi ka vendosur shkarkimin e Baronit, ndërsa është gjetur akordi me Roberto D’Aversa, i cili është zyrtarizuar si trajneri i ri i skuadrës.







































