Segmenti rrugor që pritej të hapej sot në mesditë si një by-pass për qarkullimin e mjeteve në zonën Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, ka pësuar një goditje të rëndë.
Burime nga terreni bëjnë me dije se rruga dytësore, e cila ishte hapur për të mundësuar kalimin provizor të mjeteve, ka pësuar një fundosje dhe rrëshqitje shkatërrimtare të një sipërfaqeje të madhe toke. Lëvizja masive e dheut ka dëmtuar seriozisht punën e kryer ditët e fundit, duke e bërë të pakalueshëm për një kohë të gjatë këtë segment strategjik rrugor. Janë hequr edhe makinat e firmës pasi ekziston frika e fundosjes së mëtejshme. Mësohet se është ndaluar edhe qarkullimi i këmbësorëve.
Situata e krijuar në orët e fundit ka alarmuar strukturat shtetërore dhe qeverinë shqiptare, ndërsa pritet një rivlerësim urgjent i kushteve gjeologjike dhe i planit të ndërhyrjes. Specialistët paralajmërojnë se terreni në këtë zonë mbetet tepër i paqëndrueshëm, çka e bën çdo ndërhyrje teknike të vështirë dhe me rrezik të lartë.
Bllokimi i këtij segmenti vijon të krijojë probleme serioze në qarkullimin e mjeteve dhe në lidhjen mes zonave, duke shtuar presionin për një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme infrastrukturore.








































