Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bën të ditur se gjatë muajit janar 2026 janë kontrolluar mbi 32.991 mjete në të gjithë territorin e vendit, duke shënuar një rritje prej 19% në krahasim me janarin e vitit 2025. Ky tregues dëshmon për një ndërgjegjësim në rritje të qytetarëve për rëndësinë e kontrollit teknik të automjeteve.
Kontrollet kanë për qëllim garantimin e standardeve të sigurisë në qarkullimin rrugor, duke parandaluar aksidentet që mund të shkaktohen nga defektet teknike. Ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të verifikuara kanë rezultuar me mangësi teknike, por pas kryerjes së riparimeve të nevojshme, ato janë rikthyer në qarkullim duke përmbushur parametrat e kërkuar të sigurisë. DPSHTTR thekson se siguria në rrugë fillon me një mjet të kontrolluar dhe në gjendje të mirë teknike. Paralelisht me kontrollet, gjatë këtij muaji janë çregjistruar përfundimisht 882 mjete të vjetra dhe të amortizuara.
Ky proces konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt reduktimit të rreziqeve në rrugë, por edhe drejt përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe mbrojtjes së mjedisit, pasi automjetet e amortizuara janë ndër burimet kryesore të ndotjes. DPSHTRR u bën thirrje qytetarëve që të tregohen të përgjegjshëm dhe të rezervojnë online takimin për kontrollin teknik përmes platformës e-Albania, me synim për të rritur standardet e sigurisë rrugore në vend.








































