Kampionati rikthehet këtë të premte, me ndeshjen e parë të xhiros së 25-të. Kjo është një javë me duele të rëndësishme, ku skuadrat këkojnë maksimumin për të ruajtur pozitat e tyre.
Java e 25-të e kampionatit “Abissnet Superiore” nis të premten me superduelin Egnatia – Dinamo City, që do të luhet në stadiumin “Arena Egnatia” në orën 19:00. Një përballje direkte ku të dyja skuadrat synojnë vetëm fitoren dhe pritet të dhurojnë një sfidë me ritëm e rivalitet. Të shtunën janë programuar dy ndeshje që do të luhen në orën 13:30. AF Elbasani do të përballet me Vorën në stadiumin “KF Vora”, ku verdheblutë synojnë rikthimin te fitorja pas disfatës me Vllazninë. Ndërkohë kryesuesit e kampionatit, Vllaznia, do të luajnë në transfertë ndaj Bylisit në stadiumin “Adush Muçaj”, me shkodranët që synojnë fitoren e tetë radhazi për të forcuar pozitat në krye. Java mbyllet të dielën me dy takimet e fundit.
Në orën 13:30, Tirana pret Teutën në stadiumin “Selman Stermasi”, ku bardheblutë kërkojnë rikthimin te fitorja pas humbjes në derbi, ndërsa durrsakët synojnë vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Në orën 16:30 luhet edhe sfida Flamurtari – Partizanit në stadiumin “Flamurtari”, një përballje që pritet të jetë e luftuar pasi të dy ekipet synojnë maksimumin.








































