Kategoria Superiore ka hyrë në një fazë vendimtare për pretendimet e klubeve këtë sezon. Natyrisht, deri në fund ka ende edhe shumë ndeshje dhe befasitë nuk përjashtohen, por deri tani, katërshja e kreut që përbëhet nga Vllaznia, Elbasani, Egnatia dhe Dinamo duket se do të shkojë në etapën “Final Four”, si katër ekipet më të mira që do të diskutojnë në “play-off” titullin kampion. Në fundtabelë, Flamurtari, Tirana, Bylis dhe Vora do të diskutojnë për dy vendet që do të bien direkt, kurse më të sigurt në mestabelë duken Partizani e Teuta, momentalisht as këtej e as andej.
Xhiro e radhës
Java e 24-t e “Abissnet Superiore” do të luhet në fundjavë, më 14 dhe 15 shkurt, duke premtuar sfida spektakolare dhe emocione të shumta për tifozët e futbollit shqiptar. Kjo javë nis të shtunën me dy takimet e para. Ndeshja e parë është Vora kundër Egnatias, që do të zhvillohet në stadiumin e Vorës në orën 13:30, një duel ku të dyja ekipet synojnë maksimumin. Ndërkohë në Durrës, në stadiumin “Niko Dovana”, Teuta përballet me Bylisin me objektivin e qartë për t’u rikthyer te fitorja dhe për të përmirësuar pozitat në renditje. Tre ndeshjet e tjera luhen të dielën. Në orën 16:30 janë planifikuar dy takime. Në “Elbasan Arena”, Dinamo Siti përballet me Flamurtarin.
Derbi i kryeqytetit, një shans për Tiranën dhe Partizanin
Po në të njëjtën orë, pra të dielën në 16”30, në stadiumin “Air Albania”, vëmendja kryesore do të jetë te derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës. Një përballje me histori të gjatë, rivalitet të fortë dhe peshë të veçantë në futbollin shqiptar. Kjo sfidë nuk është thjesht një ndeshje kampionati, por një duel prestigji ku atmosfera në tribuna dhe tensioni sportiv në fushë pritet të jenë në nivel maksimal. Të dy skuadrat hyjnë në këtë takim me objektiva të qarta dhe me synimin për të marrë tri pikë që vlejnë shumë, jo vetëm për renditjen, por edhe për moralin dhe besimin në vazhdim të sezonit.
Vllaznia-Elbasani, duel për kreun
Java e 24-t mbyllet me ndeshjen Vllaznia kundër AF Elbasanit në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 19:30, një përballje direkte mes dy skuadrave që kryesojnë renditjen. Nëse Vllaznia fiton, regjistron suksesin e shtatë radhazi dhe shkëputet me 6 pikë. Në rast fitoreje të AF Elbasanit, skuadra verdheblu barazon shkodranët në krye. Një ndeshje që nuk duhet humbur dhe që premton spektakël dhe emocione për të gjithë tifozët e futbollit shqiptar.
Kaçorri largohet nga Dinamo
Luis Kaçorri është aktualisht lojtar i lirë. 27-vjeçar e ka mbyllur në Jordani me Al Husein ku po bënte mjaft mirë. Kaçorri ishte në kuotën e shtatë golave dhe dy asistimeve ne 11 ndeshje kampionatit dhe Champions-it 2 aziatik. Qendërsulmuesi ndërkohë u raportua për një dëmtim të rëndë, pasi ka munguar për shkak të ligamentit krociat. Në Superiore mbahet mend për eksperiencat me Bylisin dhe Dinamon. Karriera e tij fokusohej në Itali deri në vitin 2022, ndërsa së fundmi provoi eksperiencat në Uzbekistan dhe Jordani.
Java 24
FK Vora – Egnatia, 14.02.2026 13:30 stadiumi “Vora”
Teuta – Bylis, 14.02.2026 16:30 stadiumi “Niko Dovana”
Dinamo Siti – Flamurtari, 15.02.2026 16:30 stadiumi “Elbasan Arena”
Partizani – Tirana, 15.02.2026 16:30 stadiumi “Air Albania”
Vllaznia – AF Elbasani, 15.02.2026 19:30 stadiumi “Loro Boriçi”










































