Në Itali kampionati po vijon normalisht, por ka skuadra që kanë shpresë për përmbushjen e objektivave, sikurse ndodh me Interin dhe Milanin, por ka dhe skuadra që janë në krizë e këtu përmendet Napoli, gjë që e shfaq më mirë nervoziteti i trajnerit Antonio Konte. Referuar mediave italiane, 4 muajt e ardhshëm mund të jenë të fundit për teknikun në pankinën e Napolit. Emri i tij është sërish në qendër të vëmendjes, sidomos pas eliminimit të radhës të Napolit, këtë herë nga Kupa e Italisë, e shoqëruar me një shpërthim nervash në konferencë për shtyp lidhur me arbitrat dhe titujt mediatikë. Një “Konte 3” duket i vështirë për t’u imagjinuar dhe me shumë gjasa në qershor do të vijë ndarja me presidentin De Laurentis.
“Nëse do të isha në vend të presidentit të Napolit, nuk do ta konfirmoja”, u shpreh Nando Orsi në ‘Radio Radio’. “Këtë sezon ka bërë shumë keq. Ka fituar një kampionat ndoshta të dhuruar nga Interi, por nuk ka qenë ndonjë mrekulli. Më ka zhgënjyer në menaxhim dhe në mënyrën e lojës. Flet për arbitrat vetëm kur i leverdis. Më pëlqen si trajner, por ndonjëherë pak autokritikë do t’i bënte mirë”, thotë ai. Por kush mund ta zëvendësojë? Sipas gazetarit Xhovani Skoto, gjithashtu i ftuar në “Radio Radio”, De Laurentis pëlqen dy profile, Vinçenco Italiano (siç dihet tashmë) dhe Rafaele Paladino. Ndërkohë, Xhixhi Bufon ka vlerësuar punën e trajnerit Luçiano Spaleti në krye të Juventusit.
Për ish-kapitenin, identiteti i dhënë nga trajneri është i qartë dhe gara për kampionatin në Serie A, pavarësisht Interit, nuk ka mbaruar ende. Një gjë e mirë edhe për ekipin kombëtar. Ndikimi i Luçiano Spaletit te Juventusi është tashmë i dukshëm. Sipas Xhixhi Bufon, tre ndeshje ishin të mjaftueshme për të përcaktuar identitetin e ekipit. Në një intervistë me “La Stampa”, ish-kapiteni i Juventusit, tani kreu i delegacionit të ekipit kombëtar, analizoi progresin e klubit, duke vlerësuar punën e trajnerit toskan. Për Bufon, puna e Spaletit sjell përfitime që shtrihen përtej klubit.
“Pas vetëm tre ndeshjeve, mund të shihni identitetin që Juve ka fituar. Kjo është gjithashtu e mirë për futbollin italian. Ne në ekipin kombëtar mund të mbështetemi në armë më të mprehta”. Diskutimi më pas u zhvendos në garën për titull. Pavarësisht ritmit të Interit, i përshkruar si prodhues “gjërash të mahnitshme”, gara për titullin mbetet e hapur. “Kampionati nuk ka mbaruar plotësisht”, tha Bufon.










































