Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shpallur zgjedhjet e brendshme partiake, ndërsa lideri i saj, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se nuk do të garojë më për postin e kryetarit të partisë.
Përmes një deklarate për media, Haradinaj ka bërë të ditur se pas një periudhe të gjatë në krye të AAK-së, ka vendosur të mos rikandidojë.
“Ne sapo kemi përfunduar takimin e 177-të të Këshillit të Përgjithshëm. I kemi dakorduar vendimet për trupat zgjedhore që i zgjedh Këshilli i Përgjithshëm, e po ashtu i kemi shpallur zgjedhjet e brendshme në të gjitha nivelet. Procesi zgjedhor fillon më 20 shkurt dhe përmbyllet më 6 qershor. Pra, orientimi ynë për Kuvendin është afati statutor katërvjeçar, me zgjedhje të rregullta. Është një situatë vërtet e mirë që me kohë i kemi bërë përgatitjet më të mira për këto zgjedhje”.
Ai ka treguar se ambicie për të drejtuar AAK-në ka shprehur kryetari aktual i Gjakovës, Ardian Gjini.
“Njëkohësisht, e di që risi dhe ndryshim është fakti se nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës. Në këto zgjedhje ua kam treguar edhe kolegëve disa arsye, të cilat po jua shpjegoj edhe juve. Është një kohë e gjatë në udhëheqje, që nga maji i vitit 2000, pra një faktor është edhe koha e më pas edhe rezultati jo i mirë nga zgjedhjet”, tha ai.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar po ashtu se nuk është kandidat për president të vendit.
Kështu deklaroi ai gjatë një konference për media.
“Nuk jam kandidat për president të vendit. Me qenë në një rrethanë të caktuar, parlamenti, deputetët të ma kërkonin, e kisha shqyrtuar”, deklaroi Haradinaj.













































