Gazetari Elio Laze është arrestuar në ambientet e zyrës së portalit “Priza.al”, të cilin e administron. Arrestimi i tij u bë nga Policia nën akuzën e gjobëvënies.
Sipas njoftimit zyrtar, Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Pronës në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, finalizoi operacionin e koduar “Portali 1”.
Policia bën me dije se 37-vjeçari dyshohet se ka shantazhuar një punonjës të administratës publike, duke i kërkuar 5000 euro në këmbim të fshirjes së disa shkrimeve të publikuara për të në portalin që administronte.
Sipas autoriteteve, arrestimi u krye në flagrancë në zyrën e subjektit në Tiranë, menjëherë pasi ai kishte marrë shumën prej 5000 eurosh nga denoncuesi. Gjatë operacionit u sekuestruan shuma e parave dhe katër telefona celularë. Mësohet se i arrestuari ka precedent të mëparshëm penal për armëmbajtje pa leje.
Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga punonjësi i administratës publike, i cili pretendon se ishte kanosur dhe detyruar të paguante për të shmangur publikimin apo për të fshirë materialet në fjalë.
Policia thekson se vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë veprimtari. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”.













































