Dje u luajtën dy takime çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, duke bërë që të mbyllen duelet e para të kësaj faze, duele që kanë prodhuar fitues të parashikueshëm pikërisht ekipet pretendente për titull dhe ato për trofeun e kupës. Në fakt, rezultatet e para të këtyre ndeshjeve lënë gjithçka të hapur për përballjet e kthimit, ku do të vendosen edhe biletat për në gjysmëfinale. Në Ballsh, Vllaznia siguroi një fitore minimale 1-0, një rezultat me peshë përpara sfidës së kthimit. Goli i Kastratit në minutën e 28-të i dha avantazhin shkodranëve, të cilët administruan mirë lojën deri në vërshëllimën përfundimtare.
Në Durrës, Egnatia realizoi një përmbysje me karakter ndaj Teutës, duke triumfuar 2-1. Arifi kaloi vendasit në avantazh në minutën e 11-të, por reagimi i rrogozhinasve ishte i menjëhershëm në që në minutat shtesë të pjesës së parë. Adjessa barazoi shifrat në minutën e 46-të, ndërsa Kryeziu vulosi përmbysjen në minutat shtesë të pjesës së dytë, duke i dhënë Egnatias një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit. Në “Selman Stërmasi”, Dinamo City hodhi një hap të sigurt drejt gjysmëfinales, duke mposhtur Tiranën me rezultatin e pastër 0-2. Blutë kaluan ne epërsi falë golit të realizuar nga Vila në minutën e 76-të, ndërsa në të 93-tën, Bregu vulosi shifrat në 0-2. Në “Elbasan Arena”, Partizani iu gëzua golit të Skukës në minutat shtesë të fundit të lojës, duke marrë një fitore të rëndësishme në transfertë. Ndeshjet e kthimit do të luhen më 4 mars dhe pritet të jenë vendimtare, me skuadrat që do të luftojnë për një vend mes katër më të mirave të Kupës së Shqipërisë.
Kërnaja i shqetësuar nga sharjet me “nënë e motër”
Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, përgëzoi ekipin e tij pas fitores së djeshme në Elbasan, duke thënë se të kuqtë kishin pasur mundi të fitonin me goleadë, pra kishin shpërdoruar. Nga ana tjetër, ai vuri në dukje shqetësimin për sharjet masive në stadiume dhe viktime e këtyre sharjeve kishte qenë edhe ai vetë. “Jam ofenduar, jam sharë e ofenduar në kor nga të gjithë. Dhe si fillim është pak e turpshme se kemi familjarë, gruan, nëna e motra që na dëgjojnë e duhet të bëjnë ndeshjen “mute” se është e pamundur me 5 mijë tifozë të shash në kor një trajner. Sa për lojën, kemi dominuar totalisht. Këta çuna janë vërtetë çuna me kuptimin e parë të fjalës. Në pjesën e parë duhet të përfundonte 3 apo 4-0, me raste me portën bosh e vetëm me portierin dhe asnjë goditje nga ekipi kundërshtar. E kishim përgatitur Hjumën për të hyrë mes linjave, duke parë mbrojtjen e ekipit kundërshtar të avashtë, na doli në pjesën e parë. E kërkuam, dy herë doli vetë, dy herë shërbeu, ishte pastaj një aksion i rrjedhshëm i tij. Është ndër lojtarët që vrapon më shumë në Shqipëri, ndeshjen para kësaj vrapoi 11,5 kilometra, e dimë cilësinë. Na duhej të fitonte metrat se na fitonte superioritetin numerik, ndaj e menduam kështu. Analizuam ekipin kundërshtar, u bë një ndeshje shumë e mirë nga ekipet, si ajo 2-2, edhe këtë javë. Është bërë një ndeshje jashtëzakonisht e mirë. Elbasani është në formën më të mirë, kishim shumë javë që nuk mundeshin në shtëpi. Por djemtë sinkronizuan shumë mirë lëvizjet, Tsague thatë që nuk është në moment të mirë, por Bytyçi ia vështirësoi punën, duke fituar thuajse të gjithë dyluftimet me të.
Rezultatet e ndeshjeve të para të fazës çerekfinale:
Bylis – Vllaznia 0-1
Teuta – Egnatia 1-2
Tirana – Dinamo 0-2
Elbasani Partizani 0-1
Ndeshjet e kthimit më 4 mars, ora 15:00










































