Ditën që Altin Dumani ka dorëzuar zyrtarisht detyrën dhe në krye të SPAK ka ardhur drejtuesi i ri Klodian Braho, prapaskena të errëta kriminale kanë qenë duke u zhvilluar paralelisht, larg syrit publik, por shumë pranë rrezikut maksimal për jetën e ish-kreut të Prokurorisë së Posaçme. Sipas burimeve, më 19 dhjetor, dy banda kriminale, njëra nga Durrësi dhe tjetra nga Tirana, kishin ndërtuar dhe vënë në zbatim një plan konkret për eliminimin fizik të Altin Dumanit.
Burimet bëjnë me dije se bandat kriminale, të ndërgjegjshme për profilin e lartë të objektivit dhe rëndësinë e momentit, kishin ndjekur një skenar të paramenduar, ku nuk do të përfshiheshin drejtpërdrejt persona nga zonat ku ato operojnë. Për këtë arsye, ata kishin rekrutuar dy vrasës nga një qytet verior. Sipas të njëjtave burime, dy atentatorëve të rekrutuar u ishte vënë në dispozicion një automjet, si dhe një sasi tritoli, e cila do të përdorej për të realizuar atentatin, duke pasur si synim final eliminimin e Altin Dumanit. Skenari parashikonte një goditje të rëndë, me pasoja fatale, në një moment simbolik, pikërisht ditën e largimit të tij nga drejtimi i SPAK.
Si dështoi plani
Megjithatë, ky plan nuk arriti të vihej në zbatim. Strukturat e specializuara të sigurisë, përmes një pune të thelluar operacionale, kanë arritur të zbulojnë gjithë skemën kriminale. Falë përgjimeve dhe informacioneve të siguruara nga shërbimet vendase dhe të huaja, autoritetet kanë arritur të identifikojnë dhe neutralizojnë skenarin e atentatit, duke ndërhyrë përpara se ai të realizohej. Operacioni përfundoi me sukses, duke çuar në arrestimin e dy atentatorëve, të cilët janë futur në qeli dhe kanë ndaluar kështu një nga atentatet më serioze të planifikuara ndaj një figure kyçe të drejtësisë në vend.
Burimet theksojnë se ndërhyrja ka qenë në kohë dhe vendimtare, duke shmangur një ngjarje që do të kishte pasoja të rënda jo vetëm për jetën e Altin Dumanit, por edhe për rendin dhe sigurinë institucionale. Pas zbulimit të këtij skenari dhe neutralizimit të atentatit, nga ai moment është rritur ndjeshëm trupa mbrojtëse për Altin Dumanin dhe familjen e tij. Masat e sigurisë janë shtuar, duke reflektuar nivelin e lartë të rrezikut që është konstatuar ndaj ish-kreut të SPAK. Kujtojmë se që në nisje të detyrës Dumani u cilësua si “prokurori i hekurt”, një epitet që e shoqëroi përgjatë gjithë drejtimit të Strukturës së Posaçme.
Sulmet dhe goditjet e të paprekshmëve
Edhe pse shpeshherë u sulmua publikisht nga politika, kryesisht nga ish-kryeministri Sali Berisha, apo Ilir Meta, i cili jo rrallë e ka etiketuar dhe akuzuar publikisht se “drejtohet” nga kryeministri Rama dhe kriminelët, Dumani ruajti qetësinë dhe vijoi punën pa u përfshirë në polemika. Që në fillimin e mandatit të tij, Dumani ishte i qartë në mesazhin e dhënë: “Përmbi ligjin nuk është askush”. Ky parim u reflektua në veprimtarinë e SPAK gjatë tre viteve që ai drejtoi Prokurorinë e Posaçme, ku janë sekuestruar rreth 37 milionë euro pasuri dhe janë hetuar zyrtarë të nivelit të lartë, janë goditur disa grupe kriminale, janë çmontuar fijet e bandave shqiptare të cilët operonin në të gjithë botën.
Shifra dhe rezultate këto që dëshmojnë intensitetin e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kur Dumani mori detyrën në dhjetor të vitit 2022, shumë ishin ata të cilët dyshonin se ai do të kishte guximin të përballej me korrupsionin e rrënjosur thellë prej dekadash në vendin tonë. Mirëpo, gjatë drejtimit të tij, SPAK ndërmori hetime ndaj figurave të rëndësishme politike, si te të majtët po ashtu dhe te të djathtët, duke përfshirë këtu ish-presidentin Ilir Meta, ish-kryeministrin Sali Berisha, kryebashkiakun Erion Veliaj, Belinda Ballukun, Mirlinda Karçanajn, biznesmenë dhe shumë zyrtarë të tjerë.
Kush është Altin Dumani?
Altin Dumani, 50-vjeç, erdhi nga radhët e Prokurorisë së Apelit. I lindur në Shupenzë të Dibrës, Dumani mban mbi supe mbi dy dekada karrierë si prokuror. Në mars të vitit 1999, nisi detyrën e parë në Prokurorinë e Sarandës, ndërsa në vitin 2000 u emërua drejtues i Prokurorisë së Tropojës, një post që sipas tij u refuzua nga shumë të tjerë për shkak të problematikave të rënda. Ai u bë i njohur për qëndrimin e tij të fortë gjatë procesit gjyqësor të tragjedisë së Gërdecit, ku kërkoi tre dënime me burgim të përjetshëm për të pandehurit kryesorë. Më vonë, la komoditetin e Prokurorisë së Apelit për t’iu bashkuar SPAK-ut, me synimin për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë.
Dumani ka mbajtur edhe detyrën e zëvendësdrejtuesit të SPAK, duke zëvendësuar Arben Krajën gjatë mungesave të tij. Ai udhëhoqi operacione të rëndësishme, përfshirë arrestimin e 13 personave në vitin 2021, mes tyre edhe një gjyqtare në detyrë, si dhe bashkëdrejtimin e operacionit “Plumbi i Artë”, ku u goditën bosë të rëndësishëm të krimit të organizuar. Ndërkohë që në dhjetor të 2022 ai u zgjodh kreu i SPAK dhe me punën përgjatë gjithë këtyre viteve duket se ka lënë pas një periudhë që për shumë qytetarë shënoi rikthimin e shpresës dhe besimit se drejtësia mund të funksionojë pa dallime politike. Por pavarësisht se tani do të quhet si ish-kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani do të vijojë punën në këtë Strukturë, krah kolegëve dhe për të vijuar me dosje të tjera të nxehta.



































