Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të rëndësishëm për studentët e ekselencës që aktualisht janë të punësuar në administratën shtetërore. Qeveria ka vendosur të zgjasë afatin e kontratave të tyre, duke shmangur ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Sipas vendimit të propozuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, kjo masë vjen si një “përjashtim për vitin 2026”.
Vendimi specifikon se përfitojnë të gjithë ata studentë ekselence që u punësuan me kontratë të përkohshme 1-vjeçare bazuar në thirrjen publike të dhjetorit 2024.
Duke qenë se mandati i tyre 1-vjeçar po përmbyllet në këtë fillimviti 2026, ekzistonte rreziku që ata të mbeteshin pa punë deri në hapjen e procedurave të reja.
Ndryshimi në VKM parashikon që kontrata e tyre të shtyhet automatikisht deri në përfundimin e procedurave të rregullta të punësimit (konkurseve për statusin e nëpunësit civil ose kodit të punës).
Kjo do të thotë se studentët do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë dhe të paguhen derisa të finalizohet procesi i rekrutimit të përhershëm.
Departamenti i Administratës Publike (DAP) është ngarkuar me zbatimin e këtij vendimi për të garantuar vijimësinë e punës në institucione.











































