Kupa e Shqipërisë, Vllaznia dhe Egnatia fitojnë duelet e para çerekfinale

0
11

Kupa e Shqipërisë u kthye sërish me ndeshjet e saj, këtë herë me duelet në fazën çerekfinale, ku padyshim skuadrat treguan përkushtim dhe e dëshirojnë fort jo vetëm trofeun, por për një pjesë të klubeve është një shans që të çon në Europë. Dje ishte radha e dueleve të para të kësaj gaze, me dy ndeshje, e sot do të vijojë me dy duele të tjera, mes të cilave një është derbi Tirana-Dinamo. Dje fituan Vllaznia dhe Egnatia, skuadra që kanë shanse të fitojnë edhe titullin. Ndërsa pritet me interes edhe dueli i sotëm Elbasani-Partizani. Po të nisesh nga emrat, sheh se në garën për kupë janë të njëjtat skuadra që lakmojnë edhe titullin në kampionat.

Egnatia përmbys Teutën në Durrës

Egnatia e Rrogozhinës nuk e ka humbur sharmin e një kampioneve në fuqi, dhe këtë e tregon jo vetëm me faktin e është potencialisht pretendente për titull, por ajo po lufton fort të fitojë edhe Kupën e Shqipërisë. Natyrisht nuk është e lehtë, por rrogozhinasit kanë dëshmuar në tre vitet e fundit se kanë një grup që mund të shkruajë histori dhe i kanë vlerat që i kanë të dy trofetë, si kampionati dhe Kupa. Kështu, Egnatia e ka mbyllur me fitore ndeshjen e parë të çerekfinaleve të luajtur ndaj Teutës në transfertë, ndonëse i është dashur të vuajë shumë për të mbyllur këtë sfidë me rezultat pozitiv. Durrsakët shënuan shpejt me Arifin dhe më pas u munduan të administrojnë këtë avantazh, duke u goditur në mënyrë të papritur vetëm në shtesën e pjesës së parë nga goli i barazimit i Adjesa. Pjesa e dytë ishte e përgjumur, pa raste nga skuadrat deri në minutat e fundit, ku u shpërdoruan disa të tillë, derisa erdhi gjuajtja po në shtesë e Kryeziut që mposht Selmanin dhe i dha Egnatias fitoren me diferecn3ë minimale në ndeshjen e parë.

Vllaznia e mund sërish Bylisin, këtë herë në kupë

Ndërkohë që në Durrës Egnatia e siguroi një fitore që e bën të hedhë një hap para drejt gjysmëfinaleve, duket se një hap të tillë e bëri edhe Vllaznia nga përplasja me Bylisin. Një fitore që mbart vlerë edhe moralisht për pozicionin që ka ekipi në vend të parë të renditjes së Superiores, shkëputur me 3 pikë nga ndjekësit që janë Elbasani dhe Egnatia. Kështu, Vllaznia ka mposhtur Bylisin me rezultatin 0-1 në Ballsh. Kjo ishte ndeshja e parë e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Fatin e takimit e vendosi Kastrati nga penalltia në pjesën e parë, ndërsa ishte Bismark që e fitoi. Trajneri Martini preferoi të luante pa lojtarë titullarë si Mala, Krymi, Gurishta, Pohls, Jago dhe Balaj. Kështu u ruajtën për ndeshjen e kampionatit me Elbasanin.

Josa preferoi po ashtu rotacionin, por pa arritur te rezultati pozitiv. Ndeshja nuk pati ritëm, ndërsa kuqeblutë u treguan të kujdesshëm. Vllaznia e ka fitoren e tetë radhazi, nëse përfshihen ndeshjet e kampionatit dhe Kupës. Shtatë prej tyre janë luajtur këtë vit ku Vllaznia e Martinit po tregohet perfekte. Kjo pasi Pohls dhe Jukaj e kanë mbajtur portën e paprekur me ndihmën e pjesës tjetër të ekipit. Në shtatë fitoret e vitit 2026, bie në sy se vetëm një takim është fituar 2-0. Te pjesa tjetër ka mjaftuar rezultati minimal 1-0.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here