Albion Rrahmani lider dhe lojtar special i Sparta Pragë në Çeki, por tifozët e këtij klubi janë antishqiptarë

0
8

Në kampionatin çek kanë luajtur vitet e fundit disa lojtarë cilësorë shqiptarë, që kanë bërë performancë të mirë me ekipet e tyre dhe një pjesë kanë siguruar edhe ftesën në ekipin përfaqësues. Mes tyre ka qenë edhe mesfushori energjik Qazim Laçi, por edhe lojtarë të tjerë. Së fundmi atje ka spikatur kosovari Albion Rrahmani, lojtar me të dhëna të mira dhe që aktivizohet me Spartën e Pragës. Por situata e tij në klub është me dritëhije, pasi, pavarësisht vlerësimit si lojtar i rëndësishëm i klubit, ai ka mbështetës një tifozeria antishqiptare e proserbe. Ndërkohë, në klubet e tjera nuk ekziston kjo ndjenjë antishqiptare sikurse te klubi Spartës së Pragës.

Situata e Rrahmanit

Albion Rrahmani ka kontribuar me gol të dielën në fitoren 3:0 të Sparta Pragës. Skuadra e madhe nga Praga fitoi në udhëtim ndaj Zlinit, në kuadër të xhiros së 21-të të kampionatit elitar të Çekisë. Lojtari i Kosovës e shënoi golin e parë në ndeshje, në minutën e 65-të. Luajti deri në minutën e 78-të dhe ishte prej më të dalluarve. Te Sparta Praga e vlerësojnë Rrahmanin, njëjtë si në futbollin çek. Por qëndrimi i tifozëve të Spartës vazhdon të jetë i pakuptueshëm dhe larg realitetit. Dhe kontributi që jep Rrahmani për skuadrën duket se nuk ka pasur ndonjë ndikim. Tifozët e Sparta Pragës, apo një pjesë e tyre, kanë qëndrim pro-serb dhe anti-Kosovë e anti-shqiptar. Edhe në ndeshjen në Zlin ata shfaqën një flamur anti-Kosovë. Bëhet fjalë për flamur me hartë të Kosovës, anash të cilit janë ngjyrat e flamurit të Serbisë. Mbi hartën e Kosovës është shkruar “nuk ka dorëzim”, në gjuhën serbe. Rrahmani nuk është lojtari i vetëm i Kosovës që luan në klube që kanë tifozë me qëndrime anti-Kosovë. Ka edhe klube tjera, sidomos në Rumani e Poloni, me tifozë me qëndrime anti-shqiptare.

Ecuria

Rrahmani, ndërkohë, është i kënaqur që po e gjen formën. 25-vjeçari i ka tetë gola e një asistim këtë edicion. I ka 21 paraqitje. Në edicionin e kaluar, që ishte i pari te Sparta, i shënoi vetëm pesë gola në 23 paraqitje. “Nuk është lehtë të luhet në udhëtim, sidomos në këtë fushë. Jemi munduar të bëjmë më të mirën. Kemi bërë punën në pjesën e dytë. Shënuam tre gola, mbajtëm portën e paprekur dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Rrahmani për sajtin zyrtar të klubit çek. Golin e fundit ai e kishte shënuar më 11 dhjetor.  “Pjesa e parë ishte e vështirë. Ne po mundohemi të luajmë brenda zonës. Jam munduar të qëndroj sa më shumë aty. Ende nuk jam në formën më të mirë. Kam performuar në pjesën e dytë. Jam i lumtur që kam ndihmuar ekipin, lojtarët, për të fituar tri pikë dhe të ecim para. Jam shumë i lumtur që kam bërë punën time, kam shënuar një gol dhe kam ndihmuar ekipin”, ka theksuar reprezentuesi i Kosovës. Sparta është e dyta në kampionatin e Çekisë me 44 pikë. Slavia udhëheq në tabelë me 49 pikë. Slavia e Sparta janë klube rivale nga i njëjti qytet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here