Google search engine
Home Politike Drejtesi SPAK zbarkon në Gjirokastër, kryebashkiaku Flamur Golemi 3 orë në pyetje për...

SPAK zbarkon në Gjirokastër, kryebashkiaku Flamur Golemi 3 orë në pyetje për aferën 620 mijë euro

0
85

Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, u paraqit këtë të enjte (dje) në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ai u mor në pyetje nga prokurorët e SPAK për rreth tre orë. Teksa u largua nga ambientet e SPAK-ut, në një deklaratë të shkurtër për mediat, ai tha se është thirrur për të dhënë shpjegime në cilësinë e “personit në dijeni” për një çështje që, sipas tij, lidhet me Bashkinë e Gjirokastrës. “Dhashë një deklaratë si person në dijeni për një çështje që ka të bëjë me një institucion të bashkisë Gjirokastër”, tha ai.

Pavarësisht se kryebashkiaku i Gjirokastrës nuk dha detaje lidhur me çështjen për të cilën është thirrur, mësohet se Golemi është pyetur për një skemë të dyshuar korrupsioni me tenderat e Bashkisë Gjirokastër. Dyshimet janë se Golemi është përfshirë në një skemë korrupsioni me vlerë 620 mijë euro, me biznesmenët Ferdinant Çaushi dhe Isuf Meçi, me tenderin me objekt rikonstruksion i godinës ekzistuese dhe shkallës së emergjencës dhe dhomës teknike në shkollën 9-vjeçare ‘Urani Rumbo’ të Gjirokastrës. Në tetor të vitit 2025, Bashkia Gjirokastër ka shpallur fituese kompanitë Ina shpk të Ferdinat Çaushit dhe Eurobeton të Isuf Meçit për rikonstruksionin e shkollës ‘Urani Rumbo’.

Fondi limit ishte 780 mijë euro, ndërsa oferta fituese rezulton 620 mijë euro. Deri në këtë fazë gjithçka duket mëse normale, por skandali del te zbatimi i këtij projekti rikonstruksioni. Kontratën për rikostruksionin e shkollës ka nisur t’a zbatojë Bashkia e Gjirokastrës me punonjësit e saj, pavarësisht se paratë i kishin marrë biznesmenët Çaushi dhe Meçi. Thënë ndryshe në objektin në fjalë kanë shkuar duke kryer punime ekipe të Bashkisë Gjirokastër në vend të dy kompanive të kontraktuara, fituese të tenderit 600 mijë euro, para këto të cilat dy biznesmenët dyshohet se i kanë ndarë me Flamur Golemin.

Skema është sa e thjeshtë aq edhe flagrante dhe sfiduse për drejtësinë. Tenderin e kanë fituar kompanitë Ina shpk dhe Euro Beton shpk, ndërsa punimet i ka kryer Bashkia Gjirokastër, duke zbatuar praktikisht kontratën për të cilën ka paguar dy kompanitë në fjalë. Ferdinant Çaushi dhe Isuf Meçi dyshohet se janë pjesë e klientelës së Flamur Golemit, pasi më herët kanë marrë me pazar në tavolinë edhe tenderin 400 mijë euro për rikonstruksionin e rrugës Zhulat Gjirokastër loti I. Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here