Federata Turke e Futbollit i ka çuditur të gjithë me vendimin që ka marrë sot për Kristjan Asllanin, sa i përket kartonit të kuq që ai mori në ndeshjen e debutimit me Beshiktashin. Të gjithë mendonin se Asllani e kishte shlyer pezullimin në ndeshjen e mesjavës në Kupë, sipas rregullores, dhe se dërgimi i tij në Komisionin e Disiplinës ishte thjesht formaliteti i rastit. Ndaj ai pritej të luante në fundjavë ndaj Alaniasporit në kampionat. Por Komisioni i Disiplinës ka vendosur që të japë një masë më të ashpër për futbollistin shqiptar.
“Futbollisti i Beshiktash, Kristjan Asllani, dënohet me pezullim prej dy ndeshjesh në kompeticione zyrtare në përputhje me Nenin 43 të Rregulloreve të Disiplinës për një faull të rëndë ndaj një lojtari të ekipit kundërshtar në ndeshjen Beshiktash-Koniaspor të luajtur me 31 janar”, shkruhej në vendimin e marrë sot nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Turke. Një lajm që i ka çuditur të gjithë, pasi tashmë Asllani rezulton i pezulluar edhe për ndeshjen e kësaj fundjave dhe shtyn kthimin e tij në fushë për javën tjetër, duke prishur padyshim planet për mesfushorin e Kombëtares.
Hebaj ikën nga Uzbekstani e përfundon në Kazakistan
Shqiptari Rubin Hebaj është zyrtarisht lojtar i Tobolit në Kazakistan. Sulmuesi shkodran ka mbyllur bashkëpunimin me Sogdiana në Uzbekistan ku kishte kontratë të vlefshme deri në fundin e këtij viti. 27-vjeçari ka vendosur të kthehet në sytë e Europës, pasi Kazakistani është pjesë e UEFA-s. Po ashtu duhet thënë se Tobol synon të ndërtojë në ekip pretendent. Hebaj i fitonte të gjitha në Shqipëri, ndërsa pjesa më e madhe e karrierës së tij është përqendruar jashtë. Kampion shpallej me Partizanin dhe Teutën, ndërsa te këto të fundit fitonte edhe trofeun e Kupës dhe Superkupës.
Kthehen shanset për Mario Mitajn në Arabi
Ndërkohë që Kristjan Asllani e nis me shumë debate aventurën e tij në radhët e Beshiktashit turk, duket se në Arabinë Saudite një tjetër kuqezi po merr vëmendje nga shtypi sportiv. Kështu, mbrojtësi i përfaqësueses tonë, Mario Mitaj, ishte për një kohë të gjatë i padëshiruar tek Al Itihad në kampionatin arab, ndërsa shkak bëhej numri i lojtarëve të huaj që lejohen. Por gjërat e këqija nuk mbeten për shumë gjatë dhe kështu duket se ka ndodhur edhe me Mitajn tonë, të cilit i vjen një shans për vazhdimësinë e sezonit.
Kjo situatë ka ndryshuar pas largimit të Benzema dhe Kante. Nesër ndaj Al Nasr do të jetë ndeshja e tretë radhazi ku pritet titullar. Al Itihad ka publikuar listën e emrave, që udhëtojnë për transfertën delikate. Si foto kryesore është vendosur Mitaj, që shfaqet në pozicionin e simbolit për ekipin e tij. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare u përfol edhe për një largim. Fakt është se deri tani nuk është shfaqur asnjë emër drejt finalizimit të marrëveshjes. Kristiano Ronaldo ndërkohë do të mungojë sërish për Al Nasr. Portugezi nuk vuan nga asnjë dëmtim, por shfaqet i pakënaqur me drejtuesit e klubit arab. Mbetet të shihet se cili do të jetë roli i Mitajt në skuadër dhe performanca e tij në fushën e lojës.







































