SPAK i jep leje Metës për intervistë brenda në qeli, por refuzojnë Burgjet

0
36

Prokuroria e Posaçme i ka dhënë leje kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta që të zhvillojë një intervistë brenda ambienteve të qelisë në burgun Jordian Misja me një gazetar, por ky aprovim ka sjellë përplasje institucionale. Janë dy prokurorët e çështjes, Sotir Kllapi dhe Arben Kraja, të cilët kanë firmosur kërkesën e një gazetari që t’i mundësohet një intervistë brenda në qeli me Ilir Metën, dhe më pas kjo shkresë i ka kaluar Drejtorisë së Burgjeve.

Por, kjo e fundit mësohet se nuk e ka aprovuar kërkesën e gazetarit për të zhvilluar intervistë, me argumentin se realizimi i saj kërkon masa të veçanta shoqërimi, izolimi dhe monitorimit dhe burgut 313 do t’i duheshin të angazhonte burime njerëzore dhe logjistike shtesë.

“Sipas informacionit të përcjellë nga ky institucion, nga analiza e kryer rezulton se realizimi intervistës kërkon masa të veçanta shoqërimi, izolimi dhe monitorimi, të cilat, në kushtet aktuale në të cilat ndodhet institucioni, do angazhonin burime njerëzore dhe logjistike shtese, duke krijuar vështirësi në garantimin e rendit të zakonshëm dhe funksionimin normal të shërbimeve të sigurisë, për shkak të dinamikës aktuale, ngarkesës dhe pamjaftueshmërisë së ambienteve në regjimin e brendshëm”, thuhet në shkesën e Burgjeve.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, prioritet mbetet siguria institucionale dhe funksionimi normal i shërbimeve, duke konkluduar se intervista “nuk është e mundur”.

“Aktualisht, institucioni ndodhet në kushte mbipopullimi të të paraburgosurve, ndërkohë që janë evidentuar mungesa në organikën e stafit policor, duke sjellë vështirësi në ruajtjen e parametrave të sigurisë. IEVP “Jordan Misja” akomodon gjithashtu një numër të komsiderueshëm të burgosurish nga institucione të tjera, të vendosur në regjim tranzitor, në pritje të seancave gjyqësore, të cilës kërkojnë angazhim shtesë të stafit policor dhe infrastrukturë për akomodimin dhe kryerjen e veprimeve të ndara nga të paraburgosurit rezidentë: Sipas institucionit, prioritet mbetet garantimi i sigurisë institucionale, ruajtja e rendit të brendshëm dhe mbarëvajtja e veprimtarisë së shërbimit të sigurisë dhe e dinamikës ditore”, thuhet në shkresë.

Meta u arrestua më 21 tetor 2024 dhe bashkë me Monika Kryemadhi po hetohen nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Po ashtu, ndaj familjes së tyre SPAK ka nisur edhe hetim pasuror.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here