Ish-deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj ka folur për zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në Shqipëri, duke analizuar ndikimin e mazhorancës dhe opozitës në funksionimin e drejtësisë dhe politikës. Në një intervistë për podkastin “N’xhiro me Syçin” të Ilir Demalias, ai paralajmëron ndryshime të forta dhe tensione që mund të ndikojnë si mazhorancën, ashtu edhe opozitën.
Alibeaj komentoi shtyrjen e Këshillit të Mandateve për çështjen e “Ballukut”, duke theksuar se mazhoranca po shmang përballjen e drejtpërdrejtë në Parlament. Ai vëren një ndryshim të qartë në sjelljen e kryeministrit Edi Rama. “Këshilli i Mandateve në Parlament nuk u mblodh për të disatën herë. Më duhet të them këtë gjë: është e qartë që nga ana e mazhorancës nuk duan të përballen në sallën e Parlamentit me këtë temë. Arsyet mund të jenë të ndryshme, s’i them dot për momentin. Por do të them faktin që Kryeministri, si kurrë më parë, ndaj një problemi me impakt publik siç është kërkesa për heqje imuniteti të zëvendëskryeministres për çështje penale të mëdha, ka gjetur një lloj pozicioni për t’u shmangur. Gjithmonë Edi Rama nuk u është shmangur çështjeve të tilla; dikur u ka paraprirë duke marrë masa, duke e larguar personin dhe duke ruajtur distancën higjienike me përplasjen me drejtësinë. Ai e ka kalëruar drejtësinë si produkt të tij, madje kjo ka ndodhur në vazhdimësi deri në rastin e Erion Veliajt. Në këtë situatë ka ndryshuar kurs. Shihet në Parlament një kërkesë e SPAK-ut për autorizim arresti dhe ai nuk po do ta shtrojë në Parlament. Nuk di ta them nëse ka problem me numrat pavarësisht 83 mandateve, por di të them qartësisht që ai është vendosur në një kurs përplasjeje me SPAK-un. Ky është një ndryshim cilësor në sjelljen e tij ndaj kësaj historie suksesi të trumbetuar prej tij dhe situata është goxha e majisur”, tha ai ndër të tjera.
Opozita e kapur
Ai shpreh kritika ndaj opozitës, të cilën e sheh të dorëzuar dhe të kapur politikisht, pa aspiratë reale për pushtet. Forcat e reja politike, si Adriatik Lapaj dhe zoti Shehaj, sipas tij, nuk kanë arritur të krijojnë. “Unë duhet ta them që në fillim se mund të mos jem shumë objektiv për shkak të background-it tim në sistemin e drejtësisë; jam i prirur ta shoh me një lloj dashamirësie. Me sa duket, në Shqipëri mekanizmat politikë të ndryshimit nuk funksionojnë. Zgjedhjet nuk bëhen të rregullta, raporti i forcave është abisale dhe çdo gjë që i ndodh mazhorancës nuk i jep mundësi opozitës të bëjë rotacionin. Media duket e tërhequr prej mazhorancës dhe nuk funksionon demokracia klasike midis të kundërtave. Kjo opozitë parlamentare, që është Partia Demokratike sot, në sytë e mi është një opozitë e kapur dhe e korruptuar politikisht prej pushtetit, është e dorëzuar. Nuk ka më aspiratë për pushtetin. Retorika për rrëzimin e Ramës dhe revolucionet janë thjesht një aneks i këtij sistemi që nuk funksionon. Ata janë kontribues në favor të këtij sistemi të mbytur dhe nuk po lënë asnjë filiz të ri politik të ngrejë krye”, tha ai.
Pazaret
Forcat e reja politike, si Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj, sipas tij, nuk kanë arritur të krijojnë diferencën e pritur dhe shpesh japin sinjale se janë gati të bashkohen me strukturat ekzistuese, duke humbur besimin e publikut. Alibeaj konfirmon dhe komentin e Ilir Demalias për pasurimin e Shkëlzenit gjatë qeverisjes së Ramës, më shumë sesa në kohën e Berishës, duke e konfirmuar si një shembull të lidhjeve mes pushtetit dhe interesave të enturazhit politik. Ai thekson se drejtësia është e vetmja mënyrë për të nxjerrë sistemin nga degradasioni politik dhe për të krijuar një mundësi reale ndryshimi, pasi mekanizmat politikë dhe zgjedhjet nuk funksionojnë si duhet. “Derisa këto filiza të krijohen është një proces që nuk ndodh në një moment. Por duhet ta them hapur, deri sot ka një lloj zhgënjimi. Ata lindën si silueta antisistem kundër Ramës dhe Berishës, por në çështjen e zgjedhjeve në Tiranë, pamë se si zoti Shehaj dhe zoti Lapaj patën një tendencë për t’u bashkuar me Sali Berishën. Kjo në sytë e njerëzve ishte një lloj tradhtie ndaj qëndrimit të tyre të 11 majit.
Po ashtu, shoh një forum për dialog politik që kërkon bashkimin e Berishës me partitë e tjera dhe nuk kam parë një qëndrim refuzues nga Lapaj apo Shehaj. Ky bashkim është i pamoralshëm; si mund të largohen nga qendra Berisha dhe të rikthehen prapë aty? Kjo është pa logjikë dhe pa moral. Deri tani nuk më duket se po bëjnë diferencën. Duket se sistemi është i asfiksuar dhe mjeti “Deus ex machina” për ndryshim është sistemi i drejtësisë. Qëllimi i SPAK-ut ishte që të shndërrohej në instrument për të bërë ndryshime politike. Mekanizmi politik është i vdekur. Drejtësia e ka nxjerrë mekanizmin politik nga pika e vdekjes. Më pas duhet të ndryshojë struktura ligjore, sistemi zgjedhor dhe Kushtetuta e 2008-ës që mban bipolarizmin. Është e dukshme një aleancë e heshtur mes tyre. Shkëlzen Berisha u pasurua më shumë këtë kohë sesa kur i ati ishte në pushtet, sepse interesat e pushtetit drejt enturazhit të kësaj opozite bëhen rëndom. Drejtësia është e vetmja mënyrë për ta nxjerrë sistemin nga degradimi. Deri tani nuk më rezulton se SPAK është selektiv apo se ngre çështje të montuara politikisht”, tha ai.
“Tërmeti” në politikë
Alibeaj shton se opozita nuk i gëzohet sukseseve të SPAK, sepse goditja e drejtësisë rrezikon të çojë në kolaps të gjithë kastës politike 35-vjeçare njëkohësisht. Në këtë kontekst, Alibeaj e sheh SPAK-un si instrumentin që po detyron ndryshimin politik, në një sistem ku sipas tij interesat e pushtetit dhe opozitës janë ndërlidhur dhe ku drejtësia mbetet i vetmi mjet për të thyer këtë rreth.“Pasuria duhet t’i kthehet buxhetit të shtetit; kjo do të ishte kulmi i efikasitetit dhe ia heq motivin kujtdo për të vjedhur. Ndaj njësoj ndjeshmërinë se modeli i Ramës dhe Berishës është i njëjti në menaxhimin e pushtetit. Lëvizja e SPAK-ut më duket e strukturuar; po procedon majtas e djathtas, në pushtet qendror dhe lokal. Statistikat tregojnë më shumë goditje nga pushteti. Opozita nuk i gëzohet sukseseve të SPAK-ut, sepse kjo kastë 35-vjeçare do të kolapsojë në të njëjtën kohë”, u shpreh Alibeaj ndër të tjera.


































