Në orët e fundit të merkatos po ndodh një nga lëvizjet më të bujshme nga lojtarët e Kombëtares. Kështu, mesfushori Kristjan Asllani është vendosur e rënë dakord tashmë se do të luajë pjesën e mbetur të sezonit në kampionatin elitar turk, me skuadrën e Beshiktashit. Interi dhe klubi turk kanë rënë dakord për transferimin dhe për këtë është gjetur edhe mirëkuptimi i futbollistit. Edhe pse shumë ditë ai kishte refuzuar të dilte jashtë Italisë, hapësirat e pakta në radhët e Torinos dhe mungesa e efikasitetit në javët e fundit kanë sjellë pashmangshmërisht lëvizjen e Asllanit drejt superligës turke, te klubi i njohur i Stambollit.
Qëndrimi i mediave italiane
Marrëveshja mes Interit dhe Beshiktashit është arritur, që Kristjan Asllanit të veshë fanellën e klubit turk. Bëhet fjalë për një huazim me të drejtë blerje. Fabricio Romano zbuloi së fundmi detaje të reja ku tregon se Asllani pritet të udhëtojë që sot drejt Stambollit. Beshiktashi do të mbulojë pagën e mesfushorit shqiptar, për pjesën e mbetur të sezonit. Ky huazim është disi i papritur, pasi Asllani ishte shprehur më parë kundër ofertave jashtë Italisë. Në rast se do të aktivizohet opsioni i blerjes në qershor, atëherë Beshiktashi duhet të paguajë 12 deri në 13 milionë euro.
Kujtojmë se para këtij transferimi, Asllani ishte pjesë e Torinos në pjesën e parë të sezonit. “Kristjan Asllani te Beshiktashi. Marrëveshja verbale është arritur me Interin për një huazim me kluazolë që jep të drejtën e blerjes. Beshiktashi mbulon pagën e Asllanit deri në qershor dhe mund të aktivizojë opsionin e blerjes, jo të detyrueshëm. Asllani do të fluturojë drejt Stambollit gjatë ditës së sotme, nëse çdo gjë shkon sipas planit”, është informacioni i shpërndarë nga Fabricio Romano.
Qëndrimi i klubit turk
Konfirmimin zyrtar e ka dhënë edhe vetë presidenti i klubit turk, Serdal Adali, i cili është shfaqur sot para mediave në një konferencë të gjatë për shtyp, ku është ndalur edhe mbi çështjen e mesfushorit që do të afrohet nga Interi. “Kristjan Asllani po vjen. Ne kemi arritur një akord me Interin dhe me lojtarin. Ka një proces të mbylljes së akordit mes Interit dhe Torinos. Ai do të mbërrijë sot në darkë ose nesër në mëngjes”, ishin fjalët e Adali. Sipas informacioneve që dihen deri tani, Beshiktash do të paguajë rrogën e Asllanit për pjesën e mbetur të sezonit, ndërsa ka një klauzolë prej rreth 11 milionë eurosh për blerjen e tij në fund të këtij edicioni.
Por Asllani nuk ishte shqiptari i vetëm për të cilin u fol sot. Presidenti i Beshiktashit u ndal edhe te emri shumë i diskutuar i Ernest Muçit, i cili është dhënë huazim me të drejtë blerje te Trabzonspor ku po shkëlqen me golat e tij. “Trabzonspori nuk na ka kontaktuar ne në lidhje me Muçin. Trabzonspori ka një klauzolë me të drejtë blerje. Ata kanë një akord me lojtarin në momentin që firmosi kontratën. Nëse ata nuk e aktivizojnë klauzolën, Muçi do të mbetet lojtari ynë dhe do të luajë për ne”, theksoi presidenti i Beshiktashit.


































