Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar një ndryshim në kalendarin e javës së 20-të të Kategorisë së Parë për sfidën mes Skënderbeut dhe Kastriotit.
Takimi i parashikuar për t’u luajtur të shtunën, do të zhvendoset një ditë më para dhe do të luhet të premten, më 30 janar, në orën 13:30.
Sipas komunikatës zyrtare të FSHF-së, ky vendim është marrë për shkak të parashikimit të motit të pafavorshëm në qytetin e Korçës ditën e shtunë.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Skënderbeu”, ku pritet një përballje e fortë mes kryesuesve të kampionatit dhe vendit të katërt.
Skënderbeu udhëheq aktualisht tabelën me 44 pikë, ndërsa krutanët kërkojnë pikë në këtë transfertë pasi renditen në kuotën e 27 pikëve.


































