Një aksident tragjik ndodhi ditën e sotme në Rumani duke tronditur Greqinë, pas një përplasjeje fatale të një furgoni me tifozë të ekipit grek PAOK të Selanikut me një kamion-çisternë.
Bilanci është tragjik, 7 persona humbën jetën dhe 3 të tjerë mbetën të plagosur rëndë.
Të gjithë udhëtarët ishin me nënshtetësi greke, të moshës 25 deri në 30 vjeç. Pesë prej viktimave ishin nga Aleksandria e Imathias, dy nga Katerini, ndërsa tre nga Selaniku.
Tifozët udhëtonin drejt Francës për të ndjekur ndeshjen kundër Lyonit në Ligën e Evropës.
Sipas autoriteteve rumune, furgoni tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por gjatë rikthimit në korsi u përplas fillimisht me të dhe më pas u hodh në krahun e kundërt të rrugës, ku u përplas me një kamion tjetër. Në aksident u përfshinë gjithsej katër mjete.
Gjashtë nga viktimat humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportit drejt spitalit.
Mes viktimave janë dhe 2 shqiptarë, Genci Sadiku dhe Vasil Palo.
Dy nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike, ndërsa një i tretë ka dëmtime më të lehta dhe ishte ai që njoftoi autoritetet për aksidentin.
Helikopterët e emergjencës nuk mundën të ndërhyjnë për shkak të kushteve të këqija atmosferike, ndërsa të plagosurit u dërguan në spitalin e qytetit Lugoj..


































