Çuni firmos me Barin, në Shqipëri teknikët e Kombëtares zgjedhin 11-shin më të mirë të javës

0
30

Në kampionatin italian luan kontigjenti kryesor i përfaqësueses kuqezi. ky kontigjent shtohet vit pas viti dhe përbën bërthamën e skuadrës kombëtare në ndeshjet e mëdha e të rëndësishme ndërkombëtare. Natyrisht, Serie A është e lakmuar pasi është një nga kampionatet më të forta në botë, por edhe në Serie B ka cilësi dhe preferohet nga lojtarët kuqezinj. Së fundmi, në kampionatin italian kthehet një lojtar që e njeh mirë ambientin, pikërisht Marvin Çuni, i cili ka luajtur edhe në Rusi, por ishte i huazuar në radhët e Sampdorias.

Çuni firmos me Barin

Marvin Çuni është zyrtarisht lojtar i Barit. Klubi italian ka arritur marrëveshje me Rubin Kazanin për transferimin e sulmuesit 24-vjeçar, duke mbyllur kështu negociatat mes palëve. Çuni ishte i huazuar gjatë pjesës së parë të sezonit te Sampdoria, gjithashtu pjesë e Serisë B, por tashmë do të ndryshojë skuadër për të nisur një aventurë të re. Ai i bashkohet Barit, ekip që aktualisht renditet në vendin e parafundit të Serisë B dhe ndodhet në luftë të drejtpërdrejtë për mbijetesë. Gjatë periudhës së tij te Sampdoria, sulmuesi shqiptar arriti të shënojë një gol dhe të kontribuojë me një asist, duke marrë minuta të vlefshme në një kampionat mjaft konkurrues. Megjithëse angazhimi i tij atje nuk u shoqërua me vazhdimësi, Çuni mbetet një lojtar me potencial dhe me karakteristika që mund t’i shërbejnë Barit në fazën vendimtare të sezonit. “MIRËSEVINI MARVIN! SSC Bari njofton blerjen e lojtarit të lindur në vitin 2001, Marvin Çuni (10.07.01, Freising, Gjermani) nga FK Rubin Kazan me huazim me mundësi blerjeje. Sulmuesi shqiptar do të veshë fanellën me numrin ’90’ dhe do të jetë menjëherë në dispozicion të trajnerit Longo”, shkruan klubi barez në njoftimin e tij për shtyp.

 Trajnerët e Kombëtareve zgjedhin formacionin më të mirë të javës

Pas përfundimit të javës së 21 të kampionatit “Abissnet Superiore”, trajnerët e ekipeve Kombëtare kanë përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës, sipas skemës 1-4-3-1-2, duke vlerësuar paraqitjet më të spikatura individuale. Në portë është zgjedhur Martin Janacek i AF Elbasanit. Verdheblutë regjistruan një fitore shumë të rëndësishme në shtëpi ndaj Dinamo Siti me rezultatin 2-0, ku kontributi i portierit ishte vendimtar, duke ruajtur portën të paprekur. Reparti i mbrojtjes përbëhet nga Emiljano Musta i AF Elbasanit, Erdenis Gurishta i Vllaznisë, Artan Jazxhi i Teutës dhe Lirim Kastrati i Vllaznisë. Në mesfushë janë përzgjedhur Arli Pergjoni i Bylisit, Serxho Vogli i Tiranës dhe Patrik Myslovic i Tiranës. Irgi Kasalla i Vorës mbështet repartin ofensiv, ku në sulm janë Sherif Kallaku i Vllaznisë dhe Ibrahima Diallo i AF Elbasanit. Trajneri i AF Elbasanit, Ivan Gvozdenovic, është përzgjedhur trajneri më i mirë i javës. Nën drejtimin e tij, Elbasani po zhvillon një sezon pozitiv dhe aktualisht renditet në vendin e tretë në kampionat, vetëm një pikë larg Vllaznisë dhe Egnatias, duke konfirmuar konkurrencën e fortë në krye të renditjes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here