Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një armë e re sekrete, që ai e quan “Discombobulator” ishte thelbësore për operacionin që çoi në arrestimin e Nicolas Maduros.
Trump u mburr se arma misterioze “i bëri pajisjet armike të mos funksiononin” kur helikopterët amerikanë u futën në Karakas më 3 janar për të arrestuar Maduron dhe gruan e tij, Cilia Flores, me akuza federale për drogë dhe armë , operacion që përfundoi pa asnjë humbje jete nga ana e palës amerikane.
“Discombobulator, Nuk më lejohet të flas për të, megjithëse do të doja shumë”, tha Trump gjatë një interviste ekskluzive në Zyrën Ovale.
“Ata nuk arritën që të përdornin asnjë armë, asgjë prej tyre nuk ka funksionuar”, u shpreh ai.
Trump komentoi mbi armën kur u pyet për raportet e kësaj jave se administrata Biden bleu një armë me energji pulsuese që dyshohet se është lloji që shkakton “Sindromën e Havanës”.
Nuk dihet shumë për armën, por këto raportime pasuan rrëfime nga terreni nga Venezuela që përshkruanin se si personat e armatosur të Maduros u ulën në gjunjë, duke “rrjedhur gjak nga hunda” dhe duke vjellë gjak.
Një anëtar i ekipit të rojeve të Maduros tregoi se papritmas të gjitha sistemet e radarit janë fikur pa asnjë shpjegim.
“Gjëja tjetër që pamë ishin dronë, shumë dronë, që fluturonin mbi pozicionet tona. Nuk dinim si të reagonim”, tha ai, duke thënë se më pas u shfaqën helikopterë që transportonin rreth 20 trupa amerikane në zonë.
“Diskombobulatori” atëherë u drejtua drejtpërdrejt mbrojtësve të Maduros.
“Në një moment, ata lëshuan diçka; nuk di si ta përshkruaj. Ishte si një valë zanore shumë intensive. Papritmas ndjeva sikur koka ime po shpërthente nga brenda”, tha dëshmitari.
“Të gjithëve filloi të na rrjedhë gjak nga hunda. Disa po villnin gjak. Ne ramë përtokë, të paaftë për të lëvizur. As nuk mund të ngriheshim pas asaj arme sonike – apo çfarëdo që të ishte.”



































