Po zhgënjen te Milani, por Ardon Jashari shpallet lojtari më i mirë i Belgjikës për vitin 2025

0
15

Adriatik BALLA

I ardhur që në fillim të sezonit të ri në radhët e Milanit si një lojtar me kualitet, ai duhet të bënte diferencë, por një dëmtim dhe mospërshtatja sa duhet e ka sjellë në situatë të vështirë. Gjithsesi, Ardon Jashari merr një lerosim të fundit që mund të ndikojë pozitivisht për karrierën e tij. Pasdite si titullar për herë të parë në Serie A në Firencë, në mbrëmje, në podium në Middelkerke. Ardon Jashari luajti një orë në barazimin 1:1 të Milanit ndaj Fiorentinës të dielën, kurse disa orë më vonë në Belgjikë, çuditërisht, fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të vitit 2025. “Ishte një rrëmujë e vërtetë”, tha Jashari. “Pesëmbëdhjetë minuta pas ndeshjes në Firencë, u nisa për në aeroport”. Një aeroplan privat po e priste Jasharin. Ai u nis për sallën ku po mbahej ceremonia e 72-të e “Këpucës së Artë” të Belgjikës. “Kisha vetëm pesë minuta për t’u ndërruar. Ajo ditë ishte shumë e ngarkuar, por ia vlejti”, është shprehur Jashari. “Më jep një ndjesi vërtet të mrekullueshme. Është e pabesueshme”. Mesfushori pranoi se nuk priste të fitonte çmimin e më të mirit, pas transferimit nga Klub Bruzh te Milani në verën e vitit të kaluar. “Kur u transferova në verë te Milani, mendova se mund ta harroj çmimin ‘Këpuca e Artë’. Fakti që më në fund arrita ta fitoj atë, bazuar në një raund të vetëm votimi, më bën shumë të lumtur. Nuk do ta harroj kurrë këtë moment. Më sjell shumë emocione”, ka theksuar mesfushori.

Pikavarazhi i fituesve, Jashari bën diferencë

23-vjeçari Jashari u shpall më i miri i kampionatit të Belgjikës për vitin 2025 me 351 pikët e mbledhura në raundin e parë të votimit. Pas tij përfunduan dy ish-bashkëlojtarët te Klub Bruzh, Hans Vanaken me 304 pikë dhe superfavoriti Kristos Tzolis me 243 pikë. Jashari bëhet i pari që fton “Këpucën e Artë” vetëm me numërimin gjysmës së votave, që nga koha kur këtë çmim e kishte fituar Gilles De Bilde në vitin 1994. “E di çfarë domethënie ka ky çmim në Belgjikë”, pohoi ai me tundje të kokës. “Është gjithashtu shumë e rëndësishme për mua personalisht. Pata një sezon fantastik në Belgjikë me Club Bruggen. Kjo është e jashtëzakonshme. Jam rritur vërtet në Bruzhe, si lojtar e po ashtu edhe si person. Belgjika është bërë shtëpia ime e dytë. Kam takuar kaq shumë njerëz të mrekullueshëm këtu. Ky çmim e bën vitin e kaluar edhe më të veçantë”. Fakti që ndodhi tani e bën edhe më të veçantë për Jasharin. Ai qëndroi jashtë fushave për më shumë se tre muaj vjeshtën e kaluar për shkak të një lëndimi. “Pra, ky çmim është edhe më i vlefshëm”, thotë me buzëqeshje ai. “Ishte një kohë e vështirë”. Në të njëjtën kohë ai donte të shprehte veçanërisht mirënjohje për ish-ekipin. “Kam folur shkurtimisht me Hansin dhe Kristosin. Dua të vazhdoj të flas më vonë edhe më ish-shokët e tjerë të ekipit. Jam shumë mirënjohës ndaj të gjithëve në Klub Bruzh”. Dhe të festosh? Kjo është pjesa më e bukur pas një dite të tillë. “Do të festoj pak. Dua ta shfrytëzoj këtë moment edhe me familjen time”, ka thënë Ardon Jashari.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here