Kolaudimi i makinave, ndryshojnë rregullat

0
13

Pas çdo ndryshimi të pronarit të një mjeti rrugor do të kryhet detyrimisht kontroll teknik, pavarësisht nga data e kontrollit të fundit. Kjo masë parashikohet në një udhëzim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe do të nisë zbatimin nga 1 dhjetori 2026.

Sipas udhëzimit, autoriteti kompetent mund t’i kërkojë pronarit të ri që automjeti t’i nënshtrohet kontrollit teknik para afatit të rregullt, në rast se ka ndryshuar titullari i certifikatës së regjistrimit. I njëjti detyrim vlen edhe për mjetet që kanë përshkuar 160 mijë kilometra, pavarësisht vlefshmërisë së kontrollit të mëparshëm.

Paralelisht, dokumenti sjell risi edhe në shkëmbimin e informacionit me vendet e Bashkimit Evropian. Autoritetet shqiptare, kur është e zbatueshme, do të përdorin platformën e Komisionit Evropian për shkëmbimin e të dhënave mbi certifikatat e kontrollit teknik dhe leximin e odometrit mes shteteve anëtare të BE-së.

Gjithashtu, inspektorët e qendrave të kontrollit teknik, pronarët e mjeteve dhe studiuesit e aksidenteve, sipas rastit, do të kenë akses edhe në platforma të tjera elektronike të Komisionit Evropian, të cilat ofrojnë informacion mbi historikun e aksidenteve dhe elementët e sigurisë së mjeteve të përfshira në ngjarje rrugore.

Udhëzimi parashikon edhe ndryshime të tjera të rëndësishme, përfshirë riformatimin e kategorizimit të mjeteve, me synimin e përafrimit të plotë të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here