Silvinjo rinovon kontratën me FSHF për gjashtë muaj

0
31

Adriatik BALLA

Një hap të qartë për objektivat e kualifikimit në Botëror mori dje Federata Shqiptare e Futbollit, duke dashur t’i japë skuadrës dhe stafit teknik garanci dhe besim, në mënyrë që duelet e marsit të shkojnë siç duhet dhe Shqipëria të sigurojë, pse jo, një kualifikim historik në finalet e një kupe bote. Mbetet të shihet a do ta realizojë këtë objektiv, por dje FSJF rinovoi me trajnerin dhe ndihmësit e tij, duke dhënë besim e garanci, por me një kontratë tashmë të shkurtër që është saktësisht e varur nga rezultatet e marsit, në “play-off”- in e Botërorit.

Rinovimi

Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizon rinovimin e kontratës me trajnerin e Kombëtares kuqezi, Silvio Mendes Campos Junior (Silvinjo), si edhe me dy zëvendësit e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior, duke konfirmuar vazhdimësinë e projektit teknik që ka sjellë rezultate të mira për futbollin shqiptar, aq sa për herë të parë jemi në “play-off” të Kupës së Botës. Kontrata e re me stafin teknik do të jetë e vlefshme deri në korrik 2026, me objektivin madhor kualifikimin për herë të parë në histori të Shqipërisë në fazën finale të Kupës së Botës. Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, Kombëtarja shqiptare ka shënuar një progres të dukshëm në organizim, identitet loje dhe rezultate, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën “play-off” të Botërorit 2026. Në muajin mars, kuqezinjtë do të luajnë një kapitull historik, duke u përballur në gjysmëfinalen e “play-off”-it me Poloninë, më 26 mars, ndërsa në rast kualifikimi, në finalen vendimtare do të përballen me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi. Vendimi për rinovimin e kontratës reflekton besimin e plotë të FSHF-së në stafin aktual, filozofinë e punës së ndërtuar ndër vite dhe angazhimin për stabilitet, vazhdimësi dhe ambicie të larta. Ky hap synon forcimin e mëtejshëm të Kombëtares, rritjen e konkurrencës dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Federata Shqiptare e Futbollit mbetet e vendosur të mbështesë maksimalisht Kombëtaren dhe stafin teknik në këtë rrugëtim historik, me synimin për të kthyer ëndrrën e Botërorit në realitet për të gjithë shqiptarët.

Qëndrimi i Dukës

Menjëherë pas rinovimit të kontratës u dhanë edhe përshtypjet e para nga kjo lëvizje e pritshme e institucionit qendror të futbollit, pasi kontrata me trajnerin mbyllej zyrtarisht këtë javë. Kështu, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, komentoi pas zyrtarizimit të rinovimit të kontratës së trajnerit të Kombëtares shqiptare, Silvinjo, e cila do të zgjasë deri në korrik 2026. “Vazhdojmë së bashku drejt ëndrrës së madhe të Botërorit 2026”, ka thënë Duka në rrjetin social Facebook. Shqipëria do të luajë në “play-off”-in për kualifikim në Kupën e Botës 2026, ku ndeshja e parë është planifikuar më 26 mars kundër Polonisë. Ky është një hap historik për Kombëtaren, dhe rinovimi i trajnerit Silvinjo synon të sigurojë stabilitet dhe vazhdimësi në projektin që ka sjellë rezultate pozitive deri tani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here